Albin Kurti rrëzohet me 82 vota, qëndroi vetëm 50 ditë si kryeministër i Kosovës, Vjosa Osmani kundër LDK

26/03/2020 01:21

Vetëm pas 51 ditësh në Prishtinë u rrëzua qeveria e Kryministrit Albin Kurti. Deputetët në shumicë votuan pro mocionit të mosbesimit që kishte paraqitur Lidhja Demokratike e Kosovës. Nga 117 deputete të pranishëm, 82 prej tyre votuan pro mocionin, 32 kundër dhe 1 abstenoi.

Kundër rrëzimit të qeverisë ishin tre deputete të LDK-së, përfshi edhe kryeparlamentaren Vjosa Osmani. LDK-në e mbështetën në këtë aksion partia e Ramush Haradinajt, Kadri Veselit dhe Fatmir Limajt.

Për Ramush Haradinajn ky votim vërtetoi se Kushtetuta dhe Kuvendi në Kosovë funksionojnë, dhe se shteti i Kosovës rreshtohet me vlerat më sublime të demokracisë. “Kam besim të plotë që institucionet e Republikës do të konstituohen shpejtë dhe se nuk do të ketë boshllëk qeverisës”, thotë Haradinaj.

Sipas Kushtetutës së Kosovës neni 95, për zgjedhjen e Qeverisë thotë, se “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.

Qeveria Kurti është më jetëshkurta që nga paslufta me 51 ditë pushtet. Ndërkohë debati gjatë gjithë ditës u zhvillua i ashpër.

Top Channel