Në vijim të thyrjes së rregullave të karatinimit, gjatë 24 orëve të fundit, 65 persona janë ndëshkuar me gjobë në Tiranë, po kështu janë evidentuar 76 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalimqarkullimit si dhe janë gjobitur 9 subjekte tregtie.
Në një njoftim, Policia e Shtetit deklaron se:
Strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit është evidentuar një shtetas që ka thyer rregullin e vetëkarantinimit, i cili është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë. Shtetasi K. B., banues në Tiranë, ka hyrë në Shqipëri më datë 11.03.2020 dhe është konstatuar nga shërbimet e Policisë jashtë banesës së tij.
Në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 65 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë, njëri prej të cilëve u shoqërua në komisariat dhe u procedua penalisht për kundërshtim të urdhrit të punonjësit të Policisë.
Po gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, janë evidentuar 76 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 9 subjekte tregtie që nuk kanë respektuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative 100.000 lekë për secilin.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, të mos lëvizin as në oraret e lejuara pa ndonjë arsye, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.
Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të COVID-19.
Top Channel