Kriza e koronavirusit vazhdon e thellohet duke u përhapur e duke shkaktuar viktima në të gjithë botën.

Pavarsisht këtij fakti, Shqipëria duket se është ende në fillimet e epidemisë, ku numri i të prekurve nuk i ka kaluar të 100-tat.

Vendi është i gjithi i izoluar ashtu si dhe shumë shtete të tjera të Evropës e më gjerë.

Çdo dalje është me orar, çdo dalje jashtë orarit dënohet me gjoba të majme dhe qarkullimi rrugor është ndaluar thuajse tërësisht.

E teksa thuhet se jemi në luftë me virusin dhe vendi është në shtetrrethim, jo të gjithë po e përjetojnë njësoj këtë situatë.

Duke thënë këtë, kemi parasysh të gjithë ata persona që nuk kanë një strehë në territorin e Shqipërisë.

Sa të rrezikuar janë ata?
Këshilla kryesore e këtyre ditëve është higjena, mbajtja pastër e duarve, fytyrës dhe ambientit ku ndërveproni.

Kujdesi duhet të jetë maksimal e kështu janë edhe masat shtrënguese nga shteti.

Megjithatë në rrugët e qyteteve të mëdha mund të shohësh jo pak persona të pastrehë.

Persona që enden rrugëve edhe në këto ditë ku i gjithë vendi është në izolim.

Duke qenë se higjena është parësore, qendrimi në rrugë sigurisht që nuk e bën të mundur këtë gjë.

Përhapja nga njeriu tek njeriu e COVID-19 nuk kërkon shumë vështirësi, ndaj ekspozimi i këtyre njerëzve me njëri tjetrin, pa pasur mundësi të sigurimit të një ambient të dezinfektuar e të përshtatëshëm, mund të shkaktojë të infektuar e viktima të reja.

Ekspertët thonë se jetesa në kushtet e papërshtatëshme mund të jetë fatale për të prekurit nga COVID-19.

Ky grup njerëzish janë edhe ndër më delikatët e të prekshmit nga ky infeksion, sidomos për moshat e vjetra.

Çfarë mund të bëhet
Problemi me të pastrehët nuk ndodh vetëm në vendin tonë, por shumë më gjerë thuajse në çdo vend të botës.

Një ditë më parë hotelet e Londrës, një vend i prekur nga COVID-19, u kthyen në qendra strehimi individuale për të pastrehët.

Bëhet fjalë për ofrimin e 300 dhomave të hoteleve të ndryshme në qytet të cilat janë të disponueshme duke nisur që nga kjo fundjavë.

Kryetari i Bashkisë së Londrës po punon në mënyrë që këto dhoma të qëndrojnë në dispozicion përreth 12 javët e ardhëshme.

Në një raport të Ministrisë së Zhvillimit Urban të Vitit për vitin 2016, thuhet se nevoja për strehim social në Shqipëri mbetet ende një nga problemet më të mëdha në vend dhe se jo të gjithë arrijnë të marrin strehim.

Ndërkohë qendrat sociale të strehimit shihen si një vatër e madhe infektimi për shkak të fluksit të madh të personave që mund të qarkullojnë në 24 orë.

Për këtë arsye është e nevojshme që të pastrehëve t’ju sigurohet një vend qendrimi individual në pëputhje me të gjithë rregullat e vendosura për parandalimin e COVID-19.

Qeveria Shqiptare nuk ka pasur ende asnjë reagim për këtë çështje teksa vendi hyn në ditën e 10-të të karantinës.

Në vend shënohen 89 të infektuar, 3 të shëruar dhe 5 të vdekur deri ditën e sotme, teksa pritet që përhapja të vazhdojë edhe në javët e ardhshme./AgroWeb

Top Channel