Fëmijët e vegjël dhe foshnjat nuk janë të “pa prekshëm” nga koronavirusi që ka kapluar të gjithë globin, kanë paralajmëruar mjekët.
Ekspertët thonë se infeksioni ngjitës mund të përhapet edhe midis fëmijëve dhe të rinjve, edhe pse të moshuarit janë shtresa më e rrezikuar.
Ata paralajmërojnë se virusi famëkeq mund të shkaktojë simptoma të pazakonta tek fëmijët, siç mund të jenë dhembjet në stomak, kollë e thatë ose ethe. Referuar situatës në Kinë, e cila është cilësuar dhe si vendi i origjinës i virusit korona, raportet zbulojnë se një nga dhjetë pacientë ishin nën moshën 30 vjeçare.
Edhe foshnjat nuk janë “imun” ndaj kësaj të keqeje, e cila rrezikon jetë njerëzish duke shkaktuar pneumoni dhe dëmtim të organeve. Zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetit kanë thënë që të rinjtë nuk janë të pa rrezikuar, madje shtojnë se mund të përfundojnë në spitale për javë të tëra. Kohët e fundit një pacient 18-vjeçar humbi jetë si pasojë e virusit korona në Britani, duke u kthyer kështu në viktimën me moshë në të re në këtë vend, shkruajnë mediat e huaja.
Gjithashtu, një burrë në Atlanta të SHBA-ve zbuloi se kushëriri i tij 12-vjeçar, po luftonte për jetën dhe po mbahej në jetë me ndihmën e ventilatorëve, pasi rezultoi pozitiv me COVID-19. Megjithatë “preja e preferuar” e kësaj epidemie janë cilësuar të moshuarit. Ky rrezik vjen pasi ata kanë një organizëm më të dobët për shkak të moshës dhe për këtë arsye e kanë më të vështirë për të luftuar këtë virus. Por ky fakt, nuk mund të lë fëmijët dhe të rinjtë që të vazhdojnë jetën e tyre normalisht, pasi ekspertët këshillojnë që të mbajnë një dinstancim social nga njëri-tjetri dhe të izolohen nëpër shtëpia, për të minimizuar në këtë mënyrë përhapjen e virusit famëkeq.
Sakaq, ekspertët thonë se të rinjtë mund të jenë mbartës të sëmundjes edhe pa shfaqur shenja, por janë një “burim” i rrezikshëm për të infektuar persona të tjerë.
Në një konferencë për shtyp, më datë 20 mars, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha:
“Sot kam një mesazh për të rinjtë: Ju nuk jeni të pathyeshëm, ky virus mund t’iu fusë për javë të tëra në spital, ose më keq akoma t’iu vrasë. Edhe nëse nuk sëmureni vendet që ju frekuentoni mund të jetë ndryshimi midis jetës dhe vdekjes për dikë tjetër”, deklaroi Ghebreyesus
Ndërkaq, kujtojmë që deri më tani në të gjithë globin, si pasojë e epidemisë vdekjeprurëse, kanë humbur jetën 15,433 persona, ndërsa rreth 358,805 të tjerë janë shpallur të infektuar, shkruajnë mediat e huaja.
Top Channel