Udhëheqësit politikë “e nënvlerësuan” shkallën e vërtetë të rrezikut që paraqet koronavirusi, deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Urusla von der Leyen.
“Mendoj se të gjithë ne, që nuk jemi ekspertë, e kemi nënvlerësuar fillimisht koronavirusin”, pohoi ajo në një intervistë për gazetën gjermane, Bild.
“Tani, është e qartë se ky është një virus që do të na mbajë të zënë për një kohë të gjatë”, shtoi Von der Leyen. Koronavirusi, që u shfaq për herë të parë në Kinë nga fundi I vitit të kaluar, ka përfshirë gjithë globin, duke infektuar gati 200,000 njerëz dhe duke vrarë mbi 7,950 vetë. Bashkimi Europian mori të martën vendimin që të ndalojë për 30 ditë hyrjen e udhëtarëve nga jashtë bllokut, në përpjekje për të frenuar përhapjen e rrufeshme të koronavirusit.
Italia dhe Spanja janë dy vendet e goditura më rëndë në Europë. Megjithatë, von der Leyen refuzoi të përdorë gjuhën e presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili e krahasoi shpërthimin e koronavirusit me një luftë dhe urdhëroi të gjithë popullsinë të qëndrojë në shtëpi për të paktën dy javë. “Personalisht, nuk do ta përdorja këtë term, por e kuptoj qëllimin e presidentit të Francës, sepse koronavirusi është një armik shqetësues”, tha von der Leyen.
Top Channel