Si pasojë e shpërthimit të pandemisë globale të koronavirusit, e gjithë bota do të përballet me një ngadalësim të aktivitetit ekonomik, thonë ekspertët e çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Edhe në Kosovë, pasojat në ekonomi, sipas tyre, pritet të jenë të mëdha. Rritja ekonomike, thonë ata, do të jetë shumë më e ulët krahasuar me parashikimet e bëra nga institucionet e vendit.

Qeveria e Kosovës, në buxhetin për vitin 2020, ka parashikuar një rritje prej 4,2 për qind.

Por, kjo rritje ekonomike e parashikuar nga Qeveria e Kosovës, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, nuk do të arrihet, pas gjendjes së krijuar nga koronavirusi i ri.

Gërxhaliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se pasojat ekonomike nga kjo gjendje e cila është aktualisht në shumë vende të botës dhe në Kosovë, do të jenë të mëdha.

“Në aspektin global rritja ekonomike nga 2.8 për qind do të jetë e pamundur të arrihet do të këtë diku afër 2 për qind. Edhe në Kosovë efektet do të jenë të tilla që rritja ekonomike do të jetë minore, por esenca është që të kemi një orientim ku mbështetet sektori privat që pasojat të jenë më të vogla”, thotë Gërxhaliu.

Bizneset kërkojnë fond nga qeveria për të shmangur falimentimin
Ai shton se autoritetet e Kosovës duhet të tregohen të vëmendshme karshi kësaj situate në të cilën ndodhet vendi. Nëse sektori privat, shton Gërxhaliu, do të ballafaqohet me vështirësi, pasojat do t’i bartin edhe qytetarët, pasi që bizneset nuk do të mund t’i përmbushin obligimet e tyre nëse nuk do të kenë aktivitet ekonomik.

“Pasojat nga koronavirusi në aspektin ekonomik do të jenë të mëdha për faktin se Qeveria e Kosovës nuk e ka të qartë qasjen se si do të ballafaqohet me pasojat e kësaj krize. Në këtë drejtim kam dronë që sektori privat do të jetë ai që do të jetë më i atakuari”.

“Nëse do të kemi sektorin privat më të atakuarin, barra pastaj do të bie mbi qytetarët dhe në këtë drejtim, pastaj cila do të jetë qasja institucionale. Unë pajtohem që duhet të kemi kujdes që interesi për mbrojtjen e qytetarit është shumë më i madh se në biznes, por edhe sektorit privat duhet t’i gjenden mundësi të lehtësimit”, thotë Gërxhaliu.

A do të ndihmohen bizneset nga qeveria?
Ndërkohë, Mejdi Bektashi, ekspert i çështjeve financiare, thotë për Radion Evropa e Lirë se masat e ndërmarra në shumicën e shteteve për parandalimin e koronavirusit do të reflektohet në mënyrë të rëndë në sektorin ekonomik dhe financiar.

“Tejkalimi i kësaj situate në të cilën po përballen shumica e shteteve evropiane kërkon edhe ndërhyrjen direkte të qeverisë me pako konkrete financiare për bizneset e caktuara, të cilat drejtpërsëdrejti janë goditur nga ndërmarrja e këtyre masave. Sa më shpejt që ndërmerren këto masa, aq më lehtë do të jetë mundësia e tejkalimit të situatës aktuale gjatë muajve të ardhshëm në fushën e ekonomisë”, thotë Bektashi.

Bizneset kërkojnë masa shtesë nga qeveria për shkak të koronavirusit
Bektashi thotë se masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria e Kosovës duhet të jenë stimulative për bizneset për shkak të situatës së krijuar. Sipas tij, kujdes i veçantë duhet kushtuar familjeve që janë në asistencë sociale, pensionistëve dhe atyre që kanë të ardhura më të vogla.

Qeveria e Kosovës, shton profesor Bektashi, duhet sa më shpejt të dalë me pakon stimulative që duhet të jetë disa dhjetëra miliona euro me qëllim që të parandalojë falimentimin e shumë bizneseve që drejtpërsëdrejti do të ndikonin në përkeqësimin e situatës ekonomike dhe financiare në vend.

“Duhet të pesëfishohet shuma e ndarë nga qeveria për masat e parandalimit të efekteve që do të shkaktojë pandemia në sektorin ekonomik. Masa më urgjente është të bëhet shtyrja e disa obligimeve kreditore që kanë personat fizikë dhe juridikë ndaj bankave komerciale se paku për një muaj”, thotë Bektashi.

Banka Qendrore e Kosovës tanimë ka marrë vendim që për bizneset dhe individët të ju mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars 2020 deri me 30 prill 2020 dhe varësisht nga situata, ky pezullim të shqyrtohet edhe për më gjatë.

Pezullimet e pagesave të kësteve të kredisë, sipas një njoftimi të BQK-së do të shqyrtohen për të gjitha rastet veç e veç me qëllimin që sektori bankar t’i ndihmojë klientëve të tij në tejkalimin e situatës së krijuar.

Në Kosovë, tashmë janë shënuar rastet e para me koronavirus.

Qeveria e Kosovës ka marrë masa të shumta parandaluese. Këto masa përfshijnë mbylljen e bareve, restoranteve dhe qendrave tregtare, por jo edhe të dyqaneve ushqimore dhe farmacive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA