Delegacioni i boksit është kthyer para pak çastesh nga Londra në Prishtinë, me aeroplanin privat të ish-zëvendës kryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli.
Ekipi i boksit ndodhej në Londër, ku po merrte pjesë në turneun kualifikues evropian për Lojërat Olimpike Tokio 2020, por që organizatori vendosi të hënën të pezullojë garat shkaku i përhapjes së koronavirusit Covid-19.Falë bashkëpunimit të presidentit të KOK-ut, Besim Hasani me ministren për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, të ndihmuar nga zëvendëskryeministri Abdullah Hoti dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Lumir Abdixhiku, u gjet zgjidhja që falë humanitetit të Behgjet Pacollit, të ndihmuar edhe nga ish-ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Sir Alan Duncan, të bëhet kthimi emergjent i delegacionit të boksit në Kosovë.
Delegacioni tani është duke u dërguar për në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ku do t’iu bëhen testet nëse janë të infektuar me koronavirus, ndërsa iu është thënë se do të mbyllen në karantinë 14 ditë.
“Sapo kemi arritur dhe tani jemi rrugës për në Menzën e Studentëve në Prishtinë, ku do të të na bëhen testet. Po ashtu, na është thënë se do të qëndrojmë aty për 14 ditë në karantinë”, thekson zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, për faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës.Demolli ka vlerësuar lartë përkushtimin e madh të KOK-ut dhe Qeverisë, si dhe humanitetin e ish-kryeministrit, Behgjet Pacolli.
“Kemi udhëtuar si të ishim presidentë të SHBA-ve. Faleminderit presidentit të KOK-ut, Besim Hasani, MKRS-së, Qeverisë, që na siguruan udhëtimin me aeroplanin privat të humanistit të madh Behgjet Pacolli, të cilit përherë do t’i jemi mirënjohës. Gjithçka është kryer brenda 12 orëve. Faleminderit të gjithëve që na sollën pranë familjeve tona”, ka shtuar Demolli.
E lumtur që u kthye në vendlindje është edhe boksierja Donjeta Sadiku, e cila kishte fituar një luftë në turneun kualifikues, ndërsa në të dytën nuk arriti të garojë shkaku i pezullimit të garave.
“Faleminderit të gjithëve, veçanërisht Behgjet Pacollit. Do t’ia dimë për nderë që na mundësoi të kthehemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Po ndihemi shumë më mirë. Tani po na dërgojnë në Menzën e Studentëve për të na kontrolluar”, theksoi ajo.Ekipi i boksit u përfaqësua me katër boksierë dy trajnerë dhe një zyrtarë në turneun kualifikues evropian Olimpik “Tokio 2020”.
Top Channel