Është përkeqësuar gjendja shëndetësore e dy prej tre personave të një familjeje në Demenas të Fierit, të cilët prej ditësh ishin karantinuar në shtëpinë e tyre.
Mësohet se babai dhe vajza kanë shfaqur komplikacione me shëndetin, ndërsa janë nisur me autoambulancë drejt spitalit infektiv në Tiranë.
Gruaja, e infektuara e tretë me Covid-19 vijon të qëndrojë në shtëpi, pasi paraqet gjendje të qëndrueshme shëndetësore deri më tani.
Ndërkohë pranë Spitalit të Fierit kanë mbërritur edhe ekipet e ISHP-së, për të marrë tamponet për 17 mjekë, infermierë dhe sanitarë të këtij spitali, të cilët ishin vetëkarantinuar prej disa ditësh, pas kontaktit që kanë pasur me një 61-vjeçare, e cila kishte fshehur faktin që kishte qenë në Itali, ku dhe mund të jetë infektuar.
Per të menaxhuar rastet, Spitali i Fierit u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kur të paraqiten në urgjencë, pediatri dhe maternitet, të kenë me vete kartat e identitetit kur paraqiten në këto mjedise dhe të deklarojnë itinerarin nëse kanë pasur lëvizje jashtë vendit.
Top Channel