Britania i shtohet listës amerikane të ndalim-udhëtimit

15/03/2020 05:31

Shtetet e Bashkuara do të përfshijnë Mbretërinë e Bashkuar dhe Republikën e Irlandës në masën e ndalim-udhëtimit nga Evropa drejt tokës amerikane. Kjo masë e re do të nisë së zbatuari nga dita e hënë, ka thënë nën-presidenti amerikan, Mike Pence.

Vendimi paraprak i presidentit amerikan, Donald Trump për ndalim të udhëtimit për 26 vende të botës, është fuqizuar të shtunën. Pence po ashtu ka njoftuar se secilit amerikan do t’i ofrohet mundësia e testimit falas për koronavirus.

Në të njëjtën konferencë për media, presidenti Trump ka thënë se ka kryer testet për këtë virus dhe pret rezultatet në 48 orët e ardhshme. Deri më tani në SHBA është raportuar për 51 persona të vdekur dhe 2,488 të infektuar me këtë virus.

Ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se Evropa është epiqendra e koronavirusit të ri, që fillimisht ka shpërthyer në Kinë.Sipas të dhënave në gjithë botën, në total janë: 150,006 njerëz të infektuar, 5,614 të vdekur dhe 72,060 të shëruar. Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore. Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS – viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA