Presidenti amerikan Donald Trump shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare në të gjitha Shtetet e Bashkuara për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.
Kjo do të thotë që do të vihen në dispozicion të paktën 50 miliardë dollarë për të ndihmuar shtetet më të prekura. Pas Azisë, tani emergjenca është spostuar zyrtarisht në perëndim. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se Evropa është tani epiqendra e re e pandemisë.
Pas Italisë, edhe vende të tjera të kontinentit evropian kanë marrë masa drastike. Dhe me rastet e reja që nuk ndalen, kanë mbyllur edhe kufijtë. Spanja, në vetëm një javë ka parë të shtohen rastet e koronavirusit në mbi 4300, Franca regjistron 3600 raste, Gjermania 3300. Një progres ky që ka shtyrë pjesën më të madhe të qyteteve të ndërmarrin masa drastike. Edhe sepse për momentin, siç shpjegon OBSH, është e pamundur të parashikosh se kur do të vijë piku i pandemisë.
Sipas saj, vetëm një qëndrim agresiv, si ai i ndjekur në vendet aziatike, mund të frenojë përhapjen. Si pasojë, kopshtet, shkollat, universitetet janë mbyllur në gjithnjë e më shumë vende. Republika Çeke, Danimarka, Sllovakia, Ukraina dhe Polonia kanë mbyllur kufijtë për të gjithë të huajt. Austria ka pezulluar lidhjet hekurudhore dhe ka mbyllur tërësisht kufirin me Italinë.
Edhe Sllovenia ka marrë masa ekstreme. Gjermania ka përforcuar kontrollet në kufirin francez. Në Spanjë, katër zona janë vënë në karantinë dhe dy komuna po ahstu në rajonin austriak të tirolit. Parisi ka mbyllur Luvrin dhe kullën Ejfel dhe Bullgaria ka mbyllur dyqanet jo të domosdoshme. Belgjika ka mbyllur baret e restorantet, të njëjtën gjë ka bërë edhe Berlini.
Në Sllovaki janë mbyllur aeroportet. Qeveria britanike ka shtyrë me një vit zgjedhjet lokale të parashikuara për në maj, edhe pse për momentin përgjigjia e londrës ndaj emergjencës duket më e butë pavarësisht stoicizmit të shpalosur në publik nga Boris Johnson dhe të lëvduar nga mediat, me deklaratat për vdekjet e paevitueshme.
Në të gjithë globin tani ka më shumë se 142 mijë raste dhe mbi 5300 viktima. Kina mbetet vendi më i goditur me rreth 81 raste, Italia ka më shumë se 17 mijë raste, e ndjekur nga Irani me mbi 11 mijë.
Top Channel