Në SHBA po rriten shqetësimet se çrregullimet që po sjell pandemia e koronavirusit mund të ulin rritjen ekonomike të vendit dhe ta zhysin atë në recesion – një periudhë tkurrjeje ekonomike. Shtëpia e Bardhë po shqyrton një sërë masash afatshkurtra për të lehtësuar vështirësitë financiare për bizneset dhe punëtorët e prekur, por ekonomistët paralajmërojnë se sa më shumë të përhapet virusi aq më i madh është ndikimi ekonomik dhe aq më gjatë mund të duhet që ekonomia ta rimarrë veten.

Në Shtetet e Bashkuara ka shqetësim në rritje për vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi, i klasifikuar tani si një pandemi. “Ne presim që kjo të jetë potencialisht një periudhë e dobët ekonomike për Shtetet e Bashkuara, dhe nuk do të shohim rritjen që kishim parashikuar”, thotë William Hoagland, economist në Qendrën për Politika Dypartiake.

Industria e udhëtimeve tashmë është dëmtuar mjaft nga shpërthimet e koronavirusit në anijet turistike dhe nga anulimet e përhapura të udhëtimeve ajrore. Këshillat kundër tubimeve publike kanë nxitur anulimin e konferencave, festivaleve muzikore dhe ngjarjeve sportive, dhe i kanë lënë restorantet dhe teatrot të përpiqen të mbijetojnë. Mbylljet e pjesshme të fabrikave që bëjnë pjesë makinash në Kinë po shtojnë shqetësimet se prodhuesit amerikanë të automobilëve do të duhet të shkurtojnë prodhimin.

Tregjet financiare kanë reaguar me frikë dhe paqëndrueshmëri ekstreme, me rënie drastike të vlerave të aksioneve dhe çmimeve të naftës. Të mërkurën Presidenti Trump njoftoi ndalimin e udhëtimeve për shumicën e fluturimeve nga Evropa dhe lehtësim financiar për punëtorët dhe bizneset e prekura. Por ai gjithashtu kërkoi të qetësonte publikun për ekonominë. “Kjo nuk është një krizë financiare; ky është vetëm një moment i përkohshëm që do ta kapërcejmë së bashku si komb dhe si botë”, tha presidenti.

Presidenti ka propozuar ulje të përkohshme të taksave dhe interesave të huave për industritë dhe punëtorët e prekur. Shtëpia e Bardhë po shqyrton gjithashtu mundësinë e lejes familjare të paguar për punëtorët, por nuk është e qartë se si do të zbatohet. “Zakonisht në botën e biznesit, kjo është një situatë që i bën njerëzit e biznesit shumë, shumë të shqetësuar dhe zakonisht nuk u pëlqen, por mendoj se tani po përballemi me një krizë të shëndetit publik”, thotë Bradley Gold, profesor në Universitetin e Teksasit. Miratimi i masave të reja të shpenzimeve do të kërkojë mbështetje nga demokratët në Kongres, të cilët duan fonde shtesë për testimin dhe kujdesin mjekësor, sigurimin e zgjeruar të papunësisë dhe rritjen e shpenzimeve për programet e sigurisë sociale.

“Kjo do të shtojë deficitin federal në një afat të shkurtër, por është e rëndësishme nëse nënkupton mbrojtjen e sigurisë dhe publikut amerikan dhe rivendosjen e besimit ekonomik të nevojshëm për të ecur përpara”, thoë zoti Hoagland.Masat e guximshme janë të nevojshme të merren shpejt, thonë analistët, për të siguruar ndihmë të menjëhershme për ata që preken dhe për të shpejtuar një rimëkëmbje ekonomike pasi shpërthimi i virusit të ketë përfunduar./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA