Në 24 orët e fundit janë realizuar edhe 159 testime të reja dhe kjo e çon numrin total të testimeve të kryera në 457.

Deri në këto momente janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 33 raste, nga të cilat:
8 prej të cilëve janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri dhe Rrogozhina)
25 raste janë të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore në shtëpi.

Nga rastet e konfirmuara pozitivë:
Tiranë 19 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje 1 rast
Elbasan 2 raste
Fier 4 raste
Rrogozhinë 2 raste

Siç ju kemi bërë të ditur në daljet e mëparshme, pas testimit të kampionit të parë të 50 mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Durrësit të cilët rezultuan negativë, ISHP ka vazhduar me gjurmimin e kontakteve, marrjen dhe testimin e mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës.

Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej. Gjithsej janë kryer 89 testime në spitalin e Durrësit.

Nga numri total i të prekurve nga COVID-19 janë 25 persona të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore dhe 177 të vetëkarantinuar.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha se tashmë që OBSH ka shpallur pandeminë na koronaviriusi masat që janë marrë duhet të merren seriozisht.

“OBSH ka shpallur pandeminë nga koronavirusi i ri që do të thotë se bota ka transmetim komunitar në më shumë se 2 kontinente. Kjo është një situatë që duhet vlerësuar me seriozitet dhe masat që janë marrë për distancimin social duhet të merren me seriozitet. Ne do të vazhdojmë me gjurmimin e rasteve në terren dhe nuk është e nevojshme që çdo person të testohet”, tha Bino.

Top Channel