Kush dhe si do të lëvizë sot? Ja rregullat e qarkullimit për këto 3 ditë në gati gjysmën e Shqipërisë

13/03/2020 01:19

Pas 6 orësh në Shqipëri hyjnë masat e reja në kuadër të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Nga ora 6 e këtij mëngjesi deri të dielën në mesnatë nuk do të lejohet të qarkullojnë automjete të transportit ndërurban, automjetet private drejt Tiranës dhe Durrësit apo anasjelltas, nga Tirana dhe Durrësi, në drejtim të zonave të tjera të vendit, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Lushnjë, Fier dhe Vlorë.

Qarkullimi i automjeteve në këto territore do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat dhe automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror (personeli shëndetësor dhe social dhe shërbimet mbështetëse në strukturat e kujdesit shëndetësor, publike dhe jopublike, personeli i farmacive publike dhe jopublike, personeli që ofron shërbimet e furnizimit me ushqime, medikamente, shërbimet e kateringut, shërbimet postare, zjarrfikëse, funerale, energjisë, ujësjellës kanalizime, shërbimet private të ruajtjes së sigurisë së objekteve, shërbimet aeroportuale dhe personeli i linjave ajrore).

Po ashtu do të lejohet qarkullimi i automjeteve të personave me sëmundje kronike që kanë të planifikuara terapi mjekimi në spitale, duke provuar përmes një dokumenti nevojën për trajtimin e tyre. Do të lejohen të qarkullojnë automjete të personelit të medias, duke paraqitur dokumentin e tyre të punësimit ose kartën e gazetarit.

Për qarkullimin vajtje – ardhje nga aeroporti i Rinasit, drejtuesi i automjetit duhet t’i tregojë punonjësit të policisë, biletat e fluturimit të personave që do të largohen apo foton e biletave të personave që do të mbërrijnë. Marrja në automjetin e punës, e personave të familjes apo personave të tjerë që s’kanë lidhje me detyrën shtetërore është rreptësisht e ndaluar dhe do të ndëshkohet me sanksione të rënda të parashikuara në legjislacionin përkatës.

Top Channel