Në Gjermani, gjithnjë e më shumë njerëz infektohen me virusin Corona. Edhe një ministër federal është në karantinë. Instituti Robert Koch kërkon nga bashkitë dhe spitalet që të aktivizojnë planet e krizës. Instituti Robert Koch (RKI) u ka bërë thirrje spitaleve gjermane të përgatiten për një numër më të madh pacientësh të sëmurë rëndë, për shkak të përhapjes së epidemisë së virusit Corona. Shefi i Institutit Robert Koch, Lothar Wieler rekomandon që spitalet të pezullojnë procedurat jo të domosdoshme. Kjo do të lironte më shumë shtretër për pacientët të sëmurë rëndë. Për më tepër, më shumë shtretër mund të kthehen në shtretër për kujdes intensiv, për shembull duke shtuar aparate për frymëmarrje.
Një mundësi tjetër është ndarja e stafit në mënyrë të ndryshme, për të shmangur infeksionet dhe kështu ndërprerjet e punës: spitalet mund të caktojnë punonjës të pajisur me mjete speciale mbrojtëse, për t’u kujdesur vetëm për pacientët me ethe dhe me infeksione të rrugëve të frymëmarrjes.
RKI gjithashtu u bën thirrje komunave që të aktivizojnë planet e krizës. Ai i nxiti të gjithë kryetarët e bashkive që të veprojnë në këtë mënyrë, tha Wieler. “Ne jemi në fillim të kësaj epidemie. Ne do ta kapërcejmë atë vetëm nëse të gjithë ata që kanë përgjegjësi merren me këtë krizë para nesh në përputhje me rrethanat.” Wieler këshillon me fjalë të qarta që njerëzit të shmangin aktivitetet e mëdha dhe jo absolutisht të nevojshme.
Në të njëjtën kohë, Instituti Robert Koch tërheq vëmendjen që në Gjermani, rreziku për popullatën në tërësi ende konsiderohet “i mesëm”. Sidoqoftë, ekzistojnë edhe disa rajone krizash, siç është qarku Heinsberg në Renaninë Veriore-Vestfali. Në tërësi, deri të hënën janë raportuar më shumë se 1100 infektime. Sipas Wieler-it, katër nga pesë pacientë me COVID-19 do ta kalojnë butë sëmundjen. Sipas tij, megjithatë, kjo nuk vlen për njerëzit e moshuar dhe me sëmundje kronike. Saksoni-Anhalti është tani shteti i fundit federal që konfirmon rastet e para me infektime. Katër vetë rezultuan pozitivë për virusin e koronës, njoftoi Ministria e Shtetit e Çështjeve Sociale në Magdeburg. Tre nga të infektuarit qenë kthyer nga pushimet në Tirolin Jugor ose nga Tiroli.
Seehofer në karantinë
Ministri Federal i Brendshëm Horst Seehofer do të qëndrojë në shtëpinë e tij në Ingolstadt për momentin për shkak të një kontakti me një person të infektuar potencialisht. Fillimisht do të pritet rezultati i testit të personit që kontaktoi ai, tha zëdhënësi i Seehoferit, Steve Alter.
Alter njoftoi të hënën në mbrëmje në Twitter se 70-vjeçari Seehofer dhe personi që kishte kontaktuar kishin qenë në të njëjtën dhomë gjatë një takimi në Bruksel. Takimi ndodhi në një mbledhje të ministrave të brendshëm të BE në Bruksel javën e kaluar.
Deutsche Bank mbyll degët
Deutsche Bank duhet të mbyllë përkohësisht dy degë të tjera për shkak të infektimit të dy punonjësve me COVID-19. Një punonjës në Këln dhe një në Detmold rezultuan pozitiv në test. Të gjithë punonjësit që kishin qenë në kontakt me të infektuarit u dërguan në një karantinë 14-ditore. Degët do të pastroheshin plotësisht. Më parë qenë mbyllur një degë e Deutsche Bank në Gelsenkirchen dhe dega në Kempten në Allgäu./DW
Top Channel