Gjermania vendos nën mbikëqyrje një fraksion të AfD-së

13/03/2020 05:35

Shërbimi i inteligjencës në Gjermani e vendosi një pjesë të partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), nën mbikëqyrje të vazhdueshme, për shkak të, siç u tha, kërcënimit për rendin demokratik. Vendimi ka në shënjestër krahun Flugel, një grup i AfD-së që ka fuqi të madhe në Gjermaninë lindore.

Flugel udhëhiqet nga Bjorn Hocke, një ligjvënës kontrovers nga shteti Tyringen. Shërbimi i inteligjencës BfV e përshkroi Flugel-in si organizatë ekstremiste dhe tha se ky fraksion ka rreth 7,000 anëtarë ose 20 për qind të anëtarëve të AfD-së. Mbikëqyrja është një çështje shumë e ndjeshme në Gjermani, ku shumë njerëz kanë kujtimet e spiunazhit abuziv nga kohërat e komunizmit dhe nazizmit.

Hocke prej kohësh është akuzuar për retorikë nxitëse kundër Islamit dhe migrantëve. AfD dhe veçanërisht Flugel janë kritikuar ashpër edhe për të shtënat e 19 shkurtit në Hanau, ku një person i armatosur, i nxitur nga motivet raciste, ka vrarë nëntë veta në dy bare. Ai më pas ka vrarë nënën e tij dhe veten. Shefi i BfV-së, Thomas Haldenwang, u tha gazetarëve të enjten se ekstremistët e djathtë janë përgjegjës për mbi 200 njerëz të vrarë në Gjermani, qysh në vitin 1990./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA