Prof. Përparim Kabo në Top Talk: Kemi një sfidë për jetën në vetë-izolim, ose një sfidë ndaj vdekjes në spital

12/03/2020 20:03

Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar Profesor Përparim Kabo. Profesori nuk ishte i pranishëm në studio, pasi ka zgjedhur të vetë-karantinohet në shenjë sensibilizuese me situatën e krijuar në vendin tonë si pasojë e koronavirusit të ri, i cili deri më tani ka shënuar viktimën e parë, një grua 73 vjeçare, ndërsa 23 persona janë konfirmuar mbartës të virusit famëkeq.

Kabo gjatë të gjithë fjalës së tij i bëri thirrje qytetarëve që të ndërgjegjësohen dhe të qëndrojnë në shtëpi, ta shfrytëzojnë këtë kohë për të qëndruar me personat e dashur, mundësi ndoshta që angazhimet e punëve të përditshme ia kanë mohuar në të kaluarën. Gjithashtu ai bën thirrje që të lexojmë, pasi është mënyra më e mirë që të informohemi.

Profesor Kabo bëri dhe një apel gjithëpërfshirës në studio, duke u shprehur se “ose të jetojmë në shtëpi në emër të jetës ose të dalim jashtë dhe të izolohemi në spital në luftën kundër vdekjes”. Ai nënvizoi me vija të trasha qëndrimin në ambientet e shtëpisë, pasi në të kundërt nëse njerëzit dëshirojnë të sfidojnë vdekjen u shpreh profesori le ta provojnë, por më pas ai nënkuptoi që qytetarët të mos ia drejtojnë gishtin politikës dhe sistemit mjekësor në vend, por vetes së tyre.

Denis Dyrnjaja: A rrezikojmë të depresionohemi profesor nga kjo situate që është nga njëra anë vetë presioni i sëmundjes, rreziku i saj, vdekshmëria pse jo. Tashmë e kemi frikë vdekjen. Mortaliteti është ajo që po na mbyll nëpër shtëpi. Ndërkohë nga krahu tjetër është dhe kjo pjesa e izolimit që ne nuk është se e kemi pjesë të natyrës sonë si ballkanas.


Prof. Përparim Kabo: Në kushtet që jetojmë ka dy izolime ose izolim në shtëpi në emër të jetës, ose dil jashtë dhe izolohu në spital në emër të luftës kundër vdekjes. Zgjidh e merr.

Denis Dyrnjaja: Ose izolohu përfundimisht në varreza, se është dhe ky version më i keq i mundshëm.

Prof. Përparim Kabo: Nuk doja ta përmendja një gjë të tillë. Unë kam frikë se ata që kanë më pak punë duan të dalin nga shtëpia. Ata që kanë shumë punë dhe kanë qenë vazhdimisht të angazhuar, nuk u ka pas mbetur shumë kohë për të qëndruar në shtëpi. Në shtëpi është fatalitet që t’i del dhe nxiton për një punë apo një takim dhe ai tjetri të del në rrugë dhe të thotë, “eja pimë ndonjë kafe se unë kot jam”. Pra të mendosh që në shekullin e 21 ka njerëz që dalin nga shtëpia dhe thonë jam kot se nuk kam se çfarë të bëj. Atëherë ky ka një problem shumë më të madh se sa ai që i kërkon sot situata, mbyllja në shtëpi. Nëse ato duan që të sfidojnë vdekjen, le ta provojnë. Por nëse i ndodh fataliteti, të mos thonë shtet ku je, mjekësi ku je, shërbim mjekësor ku je.

Top Channel