Oficeri amerikan i imigracionit nisi të pyesë një grup udhëtarësh që po dilnin nga salla e kontrollit të pasaportave. “Ah, prisni, duhet t’ju pyes diçka: A ka ndonjë që vjen nga Kina…? ” Pastaj u mendua një çast dhe shtoi: “Ah, po nga Irani?” I thamë se nuk kishim qenë në ato vende. Mua mu duke se ai kishte harruar të shtonte Italinë dhe ia kujtova. “Ah po, edhe Italia,” tha ai.
I thashë se kisha qenë në Itali, por jo në veri. “Mirë,” u përgjigj ai. Dhe ky ishte fundi i bisedës sime në Aeroportin Ndërkombëtar Dulles të Uashingtonit. Oficeri nuk përmendi udhëzimet që ishin dhënë nga Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve për të gjithë ata që hyjnë në SHBA nga Italia: “Udhëtarët duhet të qëndrojnë në shtëpi 14 ditë pasi të kthehen në Shtetet e Bashkuara dhe të praktikojnë distancën sociale.”
Unë po vija në Uashington nga shtëpia ime në Itali përmes Londrës, ku mu desh të qëndroja nja dy ditë për të raportuar. Kur mbërrita në aeroportin Heathrow të Londrës nga Roma, nuk pati asnjë kontroll apo pyetje, le pastaj kontroll të temperaturës. Kishte vetëm një njoftim në Terminalin 5 në lidhje me koronavirusin, por edhe ky ishte vendosur në një qoshe dhe nuk u binte fare në sy udhëtarëve.
Përsa u përket atyre që arrinin në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Romës ose në Charles De Gaulle të Parisit, puna ishte krejt ndryshe. Në të dy aeroportet gati i gjithë stafi i sigurisë dhe ai i kufirit mbanin maska në fytyrë dhe doreza, të gjitha të cilësisë së lartë. Po ashtu edhe shitësit në dyqanet pa taksa, gjë që nuk ndodhte as në Dulles dhe as në Heathrow.
Midis zyrtarëve të shëndetit publik ekziston debati nëse ekzaminimi në aeroporte ka ndonjë vlerë, për shkak të periudhës së zgjatur të inkubacionit për koronavirusin, që zakonisht shkon nga dy në njëmbëdhjetë ditë, sipas një studimi të publikuar këtë javë nga epidemiologët në Universitetin Johns Hopkins në Baltimore.
Zyrtari Kryesor i Shëndetësisë në Britani, Chris Whitty tha në një konferencë për shtyp të martën në Downing Street se qeveria britanike nuk po i ndalon në masë fluturimet apo ekzaminimin e pasagjerëve pasi masa të tilla nuk e “ngadalësojnë” përhapjen e koronavirusit. Ai theksoi se Italia kishte qenë vendi i parë evropian që vendosi ndalimin e fluturimeve nga Kina dhe bënte kontrolle të temperaturës për udhëtarët që hynin, por kjo nuk e kishte penguar Italinë të bëhej epiqendra e koronavirusit në Evropë.
Megjithatë, disa epidemiologë nuk janë të sigurt se kontrollet janë të kota. Ata e pranojnë se këto masa nuk do ta kishin parandaluar shpërthimin, por gjithsesi mund të ndihmojnë për ta ngadalësuar atë dhe kjo bën që spitalet të jenë më pak të ngarkuar.
Një studim i kohëve të fundit nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve arriti në përfundimin se afro 75 për qind e pasagjerëve të infektuar me COVID-19 dhe që vinin nga qytetet kineze të prekura nuk do të zbuloheshin dot përmes skanimit, nëse do të ishin futur në masë në Evropë. Megjithatë, nga kjo del se 25 për qind do të ishin zbuluar, duke zvogëluar ose të paktën ngadalësuar numrin e infeksioneve.
Disa epidemiologë thonë se depistimi ofron gjithashtu mundësinë për të mbledhur të dhëna nga pasagjerët në vendndodhjen e tyre të mëparshme, në mënyrë që nëse ata testojnë pozitivisht, informacioni është më lehtë të përdoret për të filluar gjurmimin e kontakteve të tyre. Kjo ofron edhe një shans për të biseduar me udhëtarët që ata të bëhen më të vetëdijshëm për sëmundjen dhe për të inkurajuar praktikën e higjenës personale, thotë epidemologu Benjamin Anderson i Universitetit Duke Kunshan të Hong Kongut.
Të tjerë thonë se duke parë se po merren masa, edhe pse ato mund të mos jenë aq të dobishme, njerëzit fitojnë një farë sigurie në momente paniku që shkaktohet edhe nga keqinformimi. Në fakt ka patur mjaft dezinformim, shpesh në mediat sociale, që ka ngjallur frikë dhe që është bërë nganjëherë me qëllime të qarta djallëzore ose për të nxjerrë fitime.Google është duke u përpjekur të “heqë shpejt” nga YouTube video që pretendojnë se ofrojnë mjekime alternativë për njerëzit e prekur nga virusi. Kompania ka bllokuar gjithashtu mijëra reklama që përpiqen të nxjerrin fitime nga koronavirusi, tha kreu ekzekutiv i Google, Sundar Pichai./VOA
Top Channel