Kryetari i bashkisë së New York-ut, Bill de Blasio, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, kjo për shkak të koronaviurist të ri. Gjatë një konference për shtyp kreu bashkiak u shpreh se këto 24 orët e fundit kanë qenë “shumë, shumë shqetësuese” dhe se bota ishte kthyer “përmbys” brenda një dite.
Në vazhdën e masave parandaluese qendrat sportive në qytet janë mbyllur, hapësirat publike, baret dhe restorantet do të funksionojnë vetëm në masën e 50% të tyre. Ndërsa për shkollat, De Blasio u shpreh se për momentin do të mbeten të hapura, por janë ndaluar rreptësisht aktivitetet argëtuese shkollore.
“Kjo është e dhimbshme. Nuk është diçka që do të dëshironim të bënim ndonjëherë, por duhet ta bëjmë. Kjo do të jetë një betejë mjaft e gjatë. Ne do të humbasim disa nga bashkëqytetarët tanë. Kjo është e pashmangshme”, u shpreh kryebashkiaku.
Ndërkohë De Blasio u shpreh se mes gjithë kësaj situate të keqe kishte diçka të mirë dhe ajo kishte të bënte me një person të cilit i ishte kërkuar karantinë e detyrueshme, tashmë gjendja e tij është konfirmuar e qëndrueshme dhe një masë e tillë nuk është më e nevojshme. Sipas raportimeve të fundit deri më tani në New York janë konfirmuar 95 raste të personave të prekur nga virusi famëkeq. Harta e të infektuarve është shpërndarë: 25 në Manhattan, 24 në Brooklyn, 17 në Queens, 10 në Bronx dhe 5 në Staten Island, shkruajnë mediat e huaja.
Top Channel