Edhe në Shqipëri koronavirusi ka shënuar viktimën e parë ndërsa deri më tani janë infektuar 11 persona.

Të gjitha vatrat e krijuara me koronavirus janë për shkak të personave që kanë ardhur në Shqipëri kohët e fundit nga Italia dhe Greqia.

Dhe në këtë moment në emër të të gjithëve, edhe ne emër të familjeve dhe të afërmve tuaj, të prindërve dhe gjyshërve që janë më të rrezikuar, ju lutemi, qëndroni të mbyllur!

Kush ka ardhur nga Italia së fundmi, duhet të qëndrojnë në karantinë. Kjo është një thirrje edhe për familjarët e tyre që t’ju kërkojnë që të vetizolohen në mënyrë që mos përhapin virusin vrasës tek ju në radhë të parë e me pas tek te afërmit.

Koronavirusi po shfaqet ne Shqipëri nga personat që kanë ardhur nga Italia dhe ky është momenti kur të gjithë duhet t’i binden thirrjes dhe të mos dalin më në rrugë, mos takojnë më njerëz.

Sot është dita të mendoni se ju mund të bëheni shkaktarë të një tragjedie shumë të madhe që në radhë të parë do godasë të afërmit tuaj.

Qëndroni brenda, mos kontaktoni me njeri, të afërmit tuaj do të kujdesen dhe nëse keni shqetësime që ngjasojnë me ato që shkakton koronavirusi lajmëroni numrin 127.

Sëmundja do nisë të prekë shumë njerëz dhe mjekët po bëjnë të pamundurën, por ata të vetëm nuk ja dalin dot. Koronavirusin mund ta ndalni vetëm ju, të gjithë bashkë. Kështu ja dolën në Kinë dhe në Korenë e Jugut dhe kjo është rruga me të cilën po lufton e gjithë Italia si komb. Sot është dita e sprovës sonë të madhe dhe duhet që të gjithë ta bëjmë këtë në emër të fëmijëve, prindërve dhe të moshuarve, vetëm kështu mund të mbrojmë jetën e tyre nga ky kërcënim i madh!

Top Channel