Paralelisht në dezinfektimin e institucioneve publike, shkollave, kopshteve, çerdheve, qendrave në territorin e Bashkisë Shkodër, ka nisur puna edhe për dezinfektimin e rrugëve e shesheve me densitet të lartë lëvizje të qytetarëve.

Në orët e para të mëngjesit janë dezinfektuar pedonalet e qytetit, ajo “Kol Idromeno”, “28 Nëntori” dhe “Oso Kuka”. Në vijimësi, do të dezinfektohen edhe rrethrrotullimet kryesore, sheshet dhe rrugët pranë institucioneve të rëndësishme në territorin e Bashkisë së Shkodrës.

Nga data 9 mars 2020, kur në Shqipëri u konstatuan rastet e para me COVID-19, Bashkia e Shkodrës ka hartuar një plan të detajuar veprimi dhe masash të nevojshme për pengimin përhapjes së virusit tek qytetarët.

Bashkia e Shkodrës fton qytetarët e bizneset të zbatojnë me rigorozitet masat e higjienës personale, të dezinfektojnë ambientet ku jetojnë e punojnë dhe të kufizojnë në maksimumin e mundshëm lëvizjet dhe qarkullimin e panevojshëm.

Top Channel