Rreth masave të reja që po jepen nga qeveria kundër koronavirusit, që ka prekur mbarë botën dhe në Shqipëri shënohen tashmë 15 raste me të infektuar dhe 1 viktimë, kryeministri i vendit shprehet se po vlerësohet fakti që nga nesër ose në ditët në vijim do të ndalohet transporti urban në rrethin e Tiranës dhe Durrësit.

“Jemi duke vlerësuar që nesër ose në ditët në vijim ndalimin e transportit urban në Tiranë dhe Durrës, sepse nuk jemi ne të parët që kemi sfidën të përballemi me epideminë, kemi eksperiencë nga vendet e tjera. E kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë hap pas hapi, ka shumë rëndësi se si ndërton të gjithë sistemin mbrojtës.

Këto masa janë sistemi ynë mbrojtës. Ajo që ju ndodhi vendeve që nuk i morën këto masa në vende shpërthimi, nuk merren përpara sepse nuk kanë vlerë, sjellin një dëm të jashtëzakonshëm për ekonominë.

E rëndësishme është që rritja të jetë brenda një kurbe sa më pranë lejlasë së sa të verdhës. Nëse ndodh kështu do të themi që e kemi në kontroll”, shprehet Rama.

Në fjalën e tij, kryeministri thotë se nuk këshillon masa drastike por kërkohet krijimi i distancave të sigurisë në vendet e punës, si dhe të ndiqen të gjitha rregullat e caktuara, si dhe shton se nuk është një situatë e cila do të zgjasë pafundësisht.

“Përsa i përket hapësirave ku ka një përqendrim të madh punonjësish. Ka një dallim mes grumbullimeve ku nuk ka një kontroll nga i zoti i punës dhe ku mund nuk të kërkosh ku njerëzit shkojnë në një hapësirë publike, njerëzit të kenë të gjitha kushtet dhe rregullat të caktuar. Por do ta bëjmë si gjithë bota, s’do bëjmë ndonjë shpikje. Nuk mund të bëjmë aventura apo të tërhiqemi nga pasiguria dhe paniku. Nuk ka ardhur fundi i botës dhe duhet të mendojmë që ka një ditë dhe një jetë tjetër që vazhdon. Është një situatë që nuk do të zgjasë pafundësisht.

Askush nuk këshillon masa drastike dhe ajo që këshillohet dhe kërkohet është krijimi i distancave të sigurisë aty ku punohet dhe krijimi i kushteve te thjeshta të mbrojtjes që të mbrojnë. Të gjithë duhet të jenë të pajisur me masa mbrojtëse, në vendin e punës është e mundur të bëhet, do të kemi sanksione të qarta për ata që nuk e ndjekin. Ju takon sipërmarrjeve që të marrin të gjitha masat dhe të bëjnë shkurtimin e nevojshme, uljen e numrit, vendosjes e elementëve që ndihmojnë, si maskat, dorezat, detergjentë, e kështu me radhë, këtë e këshillon praktika më e mirë ndërkombëtare”.

“Është absolutisht e qartë të bëjmë dallimin çfarë ndodh në një autobus dhe çfarë ndodh në një vend punë. Këtu bëhet fjalë për të mbrojtur veten dhe familjen. Nëse të gjithë do të respektojmë rregullat atëherë nuk ka pse të shkojmë dhe të vrapojmë përpara me mendjen ton”, vijon fjalën e tij Rama.

Top Channel