Policia operacion në kufi/ Gjoba për kalim të paligjshëm të kufirit, dy të arrestuar

10/03/2020 09:14

Masa të shtuara ka pasur nga ana e Policisë Kufitare, për kontroll të imtësishëm ndaj automjeteve dhe qytetarëve, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Si rezultat i kontrollit janë kapur dhe ndaluar dy shtetas të shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Dhuna në familje”.

Gjithashtu, gjatë një jave janë kthyer mbrapa 29 shtetas shqiptarë që nuk plotësonin kushtet e lëvizjes në hapësirën SCHENGEN.

Po nga Policia Kufitare e Kakavijës janë ndëshkuar me masë administrative gjobë, 21 shtetas shqiptarë, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe shkelje të ligjit për kontrollin kufitar.

Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, si rezultat i intervistimit të thelluar, kanë bërë të mundur zbulimin e identitetit të vërtetë të një shtetasi që ishte i shpallur në kërkim, duke e vënë në pranga, konkretisht shtetasin A. K., 49 vjeç, banues në Vlorë.

Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Ngjarje e ndodhur në datë 22.04.2018, ku shtetasi i mësipërm, duke qenë drejtues autobusi i një linje me shtetin grek, ka tentuar të trafikojë në shtetin grek, 1 kg lëndë narkotike kokainë. Ky shtetas, në momentin e kontrollit nga Policia, ka braktisur autobusin dhe është larguar në një zonë të pyllëzuar në territorin e doganës greke.

Si dhe u kap shtetasi D. V., 42 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, në muajin shkurt 2020, ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë në mungesë, “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Top Channel