Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës një skandal me zonat e mbrojtura në Shqipëri. Megjithëse Kanioni i Llëngës, në Mokër të Pogradecit është zonë e mbrojtur, në mes të tij është ndërtuar një HEC.

Dhe, për më tepër, institucionet janë fshehur “pas gishtit”, duke shkruar në letra se HEC-i është jashtë kanionit. Por specialistë të Zonave të Mbrojtura por edhe historiani Neritan Ceka pohojnë se ndërtimi i kësaj vepre ka prishur habitatin mjedisor dhe atë historik, pasi në atë zonë ishte edhe një degëzim i rrugës së vjetër Egnatia.

Megjithëse në fshatin Llëngë po ndërtohen disa HEC-e, rruga për të shkuar në zonë është e shkatërruar, madje e pakalueshme edhe për mjetet tip foristradë. Grupit të Fiks Fare iu desh rreth 3 orë në këmbë për të shkuar në Llëngë. Rrugës për në fshat, gazetarët kalojnë në një rrugë të vjetër, ndërkohë që Llënga është në një luginë e rrethuar me male të larta. Ndërkohë, në dalje të luginës, është kanioni që mbrohet nga shteti. Në vitin 2012, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e ka shpallur këtë kanion si Monument Natyre. Ndërkohë, pas vitit 2012, në këtë zonë, janë dhënë leje për ndërtim HEC-esh. Aktualisht, uji që kalon në këtë kanion, përfundon në tuba.

Megjithëse është në zonë të mbrojtur, në këtë vend është ndërtuar një digë. Me tonelata të tëra betoni janë hedhur në brendësi të këtij kanioni. Ndërkohë, diga e këtij HEC-i, është ndërtuar brenda një monumenti natyre. Në kanion janë hedhur tonelata të tëra me beton në shkelje flagrante të ligjit, ku aktualisht uji që përshkonte në rrjedhën e tij natyrale, me ndërtimin e kësaj dige, është shndërruar në një liqen artificial. E gjitha zona është shkatërruar, ku masive të tëra me shkëmbinj kanë përfunduar në përrua, rreth 400 metra larg.

Llënga e braktisur…

Gazetarët e Fiks Fare shkojnë në fshatin Llëngë, ku aktualisht jetojnë vetëm 5 familje. Zonja Andoni është e moshuar dhe jeton me bashkëshortin dhe fëmijët. Thotë se familja e saj ka një lopë, ndërkohë të ardhura të tjera janë lekët e pensionit. “Unë marr 82 mijë lekë, burri merr 150 mijë lekë. Unë që këtu në Çezmë shkoj në këmbë. Bëjmë rreth 3 ose 4 orë në këmbë ik, rri, ik, rri. Te doktori po pate ndonjë hall do shkosh në Pogradec. Këtu s’ka rrugë, tani është baltë” thotë zonja. Më tej pohon se në zonë po ndërtohen disa HEC-e, ku njëri është ndërtuar te Gryka e Gurit. Sipas saj, zona ka qenë shumë e bukur, ndërkohë pas gërmimit është bërë shumë më keq. “Atje kalonte rruga e karvanit. Këto HEC-e s’na kanë sjellë asgjë të mirë, as rrugë asnjë gjë. Investimet e fundit në këtë fshat janë bërë në kooperativë. Që këtu kanë ikur të gjithë. Atëherë ka pasur 67 familje, tani kanë mbetur vetëm 5” thotë ajo.

Fiksi bisedoi edhe me kryeplakun e fshatit, i cili thotë se kanë bërë disa ankimime për HEC-et në kanione, por deri më tani s’kanë marrë asnjë përgjigje. “Te Kanioni i Llëngës kalon edhe rruga Egnatia. Ka mbetje kalldrëmi. Më duket se këto ndërtimet po i bën Kisha. Na premtuan që do bëjnë rrugë, po asnjë gjë. Nga unë s’kanë marrë asnjë vulë, s’më kanë pyetur. Ne që jemi këtu s’kemi firmosur asnjë” thotë ai.

ADZM Korçë: Ne s’na pyetën!

Diskutimet për ndërtimin e HEC-it në kanionin e Holtës në Gramsh ishte që diga ishte 140 metra larg hyrjes së kanionit. Edhe në atë rast, distanca ishte në shkelje të ligjit, pasi ndërtimet duhet të jenë 200 metra larg zonave të mbrojtura. Por, ajo çka ndodhur në Llëngë, është se ndërtimi është brenda kanionit. Fiks Fare pyeti në Agjencinë e Zonave të Mbrojtura në Korçë. Një punonjës thotë se në Llëngë po ndërtohen disa HEC-e në zona të mbrojtura, por sipas tij lejet janë dhënë nga Ministria e Mjedisit. “Ne s’kemi vendimmarrje” thotë ai. Punonjësi pohon se për HEC-in në kanion thotë se vepra e marrjes së ujit zhvillohet në dalje të kanionit. “Ne mendojmë që është 40 deri në 50 metra larg kanionit. Ai thotë se nuk jemi ne që e kemi lejuar dhe miratuar në atë zonë dhe se ndërtimi është bërë me dokumente nga institucionet vendore dhe qendrore. Ne konstatuam se po ndërhyhej brenda kanionit si rrugë kalimi. Kontaktuam me firmën Hidropoëer Electric. Ata kanë kaluar mjete, por është e vështirë ti kapësh në flagrancë. Ne e konstatuam dhe bëm procesverbal dhe ja dorëzuam Inspektoriatit të Mjedisit. Ata, e penalizuan me gjobë 1 milionë lekë gjobë. Ne kemi sinjalizime të tjera që po e përdorin, por ata na thanë se po e përdorin banorët” thotë ai.

Shkatërrohet edhe rruga antike Egnatia

Krahas dëmtimit të kanionit, rruga që kalon mes përmes kanionit, është dëmtuar nga firma që ka ndërtuar këtë HEC. Sipas historianëve, kjo rrugë është një degëzim i rrugës Egnatia që lidhte qytetin e Gramshit me qytetin e Pogradecit. Gjurma historike e rrugës është dëmtuar, ndërkohë që sipër saj është hedhur çakull, beton, apo edhe mali është gërmuar. Fiks Fare pyeti në Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik, ku kontaktuam me drejtoreshën Rudina Zoto, ku iu kërkua informacion për ndërtimin e këtij HEC-i. Agjencia na ktheu përgjigje se Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ka miratuar raportin e vëzhgimit arkeoligjik sipërfaqësor nga një subjekt. Në vendim, Këshilli ka sugjeruar se firma që po ndërton HEC-in të mos kryejë asnjë lloj punimi apo lëvizje, në zonën e shtrirjes së traktit të rrugës së periudhës Romake, me qëllim mos dëmtimin e tij dhe shmangien e çdo lloj ndikimi që mund të ketë mbi të. Në nëntor 2018, Agjencia verifikoi informacionin për dëmtim rruge dhe rezultoi i “pa prekur nga punime ndërtimore”.

Pas kësaj përgjigje, Fiks Fare bisedoi me historianin Neritan Ceka i cili tha se në atë zonë është edhe rruga për në manastirin e Llëngës. “Është më e vjetër se rruga Egnatia. Rruga kalonte në brendësi të atij kanioni, futej në luginën e Manastirit të Llëngës. Është zona më interesante të së ardhmes” thotë Ceka, ndërkohë që gazetarët i tregojnë historianit çfarë ka ndodhur realisht në zonë. “Impakti është i dukshëm, nuk është mbajtur distance nga rruga, mund të ishte bërë më poshtë. Duhet të jenë në përputhje në ruajtjen e monumentit dhe këtu nuk është respektuar distanca. Me aq sa shikoj kjo rrugë nëse është parë nga ekipi duhej vënë në mbrojtje të përkohshme, edhe nëse s’ka qenë në mbrojtje, monument kulture. Është rrugë e veçantë. Jemi në gjendje katastrofe, po bëhen ndërtime në dëm të zonave arkeologjike. Jemi në fund të historisë së monumenteve të kulturës. Unë e kam dhënë alarmin. Kemi kompjutera, po s’kemi njerëz në terren” thotë z.Ceka.

Pak muaj më parë, policia e Pogradecit bëri një kallëzim penal në prokurori se firma që bëri HEC-in shkatërroi edhe rrugën Egnatia. Por, prokuroria pushoi hetimet me argumentimin se firma s’ka prishur asnjë rrugë. Ajo çka shikohet në këtë zonë, është se jo vetëm që rruga është prishur dhe mbuluar me inerte, por e gjithë zona, Monument Natyre, është kthyer në një kantier të madh ndërtimi. Të gjitha institucionet kanë mbyllur sytë para kësaj masakre mjedisore.

Top Channel