Ekskluzive-Video/ Telefonata: Jam me temperaturë, kisha kontakte me një nga të prekurit me Koronavirus

10/03/2020 15:15

Top Channel paraditen e kësaj të marte ishte në njësinë e koordinimit të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Spitalore, ku gjatë 24 orëve të fundit kanë telefonuar mbi 3000 qytetarë në numrin 127.

Gjatë realizimit të kësaj kronike gazetari Muhamed Veliu regjistroi bisedën e një qytetari të moshës 50 vjeç, i cili në bashkëbisedimin me operatorin e urgjencës tregon se ka patur kontakte, me një prej personave të parë, të cilët u identifikuan dje pozitiv me Koronavirus.

Më poshtë biseda e plotë e operatorit me qytetarin të cilit për efekt të mbrojtjes të dhënave personale dhe privatësisë, Top Channel nuk ia publikon emrin.

Qytetari: Kam kontaktuar me atë të sëmurin dhe kam 3-4 ditë që jam me temperaturë

Operatori: Me një nga ata që kanë dalë pozitivë?

Operatori: Si quheni?

Qytetari: Jep emrin…

Operatori: Kur ke pasur kontakt me ta?

Qytetari: Kontaktin me ta e kam pasur të dielën që kaloi. Para 10 ditësh. Kam problem që jam edhe me temperaturë. Ka 3-4 ditë që jam me temperaturë dhe ethe.

Operatori:  Sa e ke temperaturën?

Qytetari: Më shkon gati 39.

Operatori: Djersitje ke?

Qytetari: Po shumë…

Operatori: Të vjella, diarre ke patur?

Qytetari: Jo jo, vetëm djersis, se e ula temperaturën me brufen dhe bëhem ujë në djersë.

Operatori:  Kollë ke?

Qytetari: Jo nuk kam kollë, as nuk bllokim frymëmarrje.

Operatori: Rrjedhje nga hundët ke?

Qytetari:  Jo jo nuk më kullojnë.

Operatori: Tështima?

Qytetari: As tështima

Operatori: Dhimbje koke apo trupi?

Qytetari: Po kam pas pak dhimbje trupi, po unë jam dhe më hernie diskale dhe kjo më shqetëson shpesh.

Operatori: Dhimbje të forta koke, gjatë momentit të temperaturës së lartë?

Qytetari:  Temperatura është pa dhimbje.

Operatori: Lodhje, këputje të përgjithshme, dobësi ke?

Qytetari: Në përgjithësi jo.

Operatori: Atëherë duke qenë se ke patur kontakt me këto personat dhe të janë shfaqur simptomat unë duhet të të regjistroj dhe do të vlerësojmë për tamponim.

Operatori:  Po udhëtim jashtë shtetit ke bërë gjë?

Qytetari:  Po, para një muaji e gjysëm.

Operatori:  Ku ke qenë?

Qytetari: Në Vienë dhe Amsterdam.

Operatori: Kontakti me këtë të infektuarin ka qenë nga data 3 mars apo jo?

Qytetari: Po, diçka para 10 ditësh.

Operatori: Sa vjeç je?

Qytetari: 50 vjeç

Operatori:  Ku banon?

Qytetari:  Jep adresën në një hotel.

Operatori: Jeton me familjarë apo je në një dhomë hoteli?

Qytetari: Jam futur në dhomë të hotelit.

Operatori:  Këtu jeton në Tiranën apo ke ardhur vetëm këto ditë këtu?

Qytetari:  Jo, jetoj këtu.

Operatori: Mirë na duhet një numër kontakti

………….

Qytetari: Çfarë mund të marr ndonjë ilaç për ta ulur temperaturën?

Operatori: Mund të marrësh gripostad c, ibubrofen 400 ose 600mg.

Operatori:  Tani për simptomat që ke dhe kontaktin që ke pas me të infektuarin në të kemi regjistruar dhe mund të vlerësojmë për tamponim edhe ty.

Operatori: Në rregull?

Qytetari: PO

Operatori: Mundohu që të rrish akoma i vetë izoluar pa kontakt me të tjerët, duke qenë se ke disa simptoma të gripit. Mos kontakto me të tjerë, përdor maska dhe dezifenktues. Ne do të kontaktojmë.

Top Channel