Italia është zgjuar sot e gjitha në karantinë.

Udhëtimet janë kufizuar në të gjithë vendin, mbledhjet publike janë ndaluar në të gjithë vendin pasi qeveria firmosi masat strikte të karantinës për të ndalur përhapjen e koronavirusit të ri. Masa e paprecedentë, është në fuqi deri më 3 prill dhe prek të gjithë popullatën e Italisë prej më shumë se 60 milionë banorësh.

Italia është bërë vendi më i prekur në Evropë, pas kinës, me numrin e rasteve që e ka kapërcyer shifrën 9 mijë dhe ka shkaktuar 463 viktima deri tani. Sipas rregullave të reja, lejohet udhëtimi vetëm për punë urgjente ose arsye shëndetësore por njerëzit mund të kthehen në shtëpitë e tyre nëse janë diku tjetër. Shkollat dhe universitetet janë mbyllur ndërsa bizneseve u është kërkuar ti lënë pushim punonjësit. Baret dhe restorantet lejohen të qëndrojnë të hapura nga ora 6 e mëngjesit deri në 6 të mbrëmjes dhe vetëm nëse është e mundur që të mbahet një distancë prej të paktën një metër mes klientëve. Institucionet fetare po ashtu do të qëndrojnë të hapura për sa kohë që njerëzit të qëndrojnë në të njëjtën distancë larg njëri tjetrit, por ceremonitë, si martesat, pagëzimet dhe funeralet janë të ndaluara.

“Sot është momenti që ne të tregohemi të përgjegjshëm. Nuk duhet të lejojmë dobësi. Të gjithë duhet të heqin dorë nga diçka për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve”, tha Conte.

Marketet e hapura gjatë natës në Romë dhe Napoli ishin të mbushura me banorë që blinin ushqime me shumicë si edhe sapunë dhe dezinfektues. Pamjet në televizione tregonin njerëzit që prisnin në qetësi jashtë dyqaneve, në mes të natës, pavarësisht se qeveria ka garantuar se supermarketet do të furnizohen rregullisht dhe i ka kërkuar italianëve të mos e ekzagjerojnë me blerje paniku.

Italia ka popullatën e dytë më të moshuar në botë pas Japonisë dhe të moshuarit janë më vulnerabël ndaj virusit. Zyrtarët ndërkohë janë përballur me të tjera telashe pasi të burgosurit, të përfshirë nga paniku i infeksionit, protestuan apo u rebeluan në 23 burgje të vendit, rebelim ky nga i cili mbetën edhe disa të vdekur. Në lombardi nuk ka më vende në spitale për pacientët në kujdes intensiv ndërsa qeveria ka thirrur në punë edhe mjekët në pension, në përpjekje për të lehtësuar barrën e shërbimit shëndetësor.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA