Bursa e Londrës është tronditur në hapje të hënën, me indeksin FTSE 100 që shënoi 8 për qind rënie, nivelin më të ulët të tij në tre vite.
E kjo vjen pas rënieve të mëdha në bursat aziatike, që kanë regjistruar humbjet më të mëdha që nga 2008. Tregjet janë tronditur nga kërcënimi i një lufte çmimesh mes grupit eksportues të naftës OPEC dhe aleates së saj kryesore, Rusia. Dhe e gjithë kjo, nën kërcënimin e koronavirusit dhe pasojave të tmerrshme të tij në ekonominë e shumë vendeve të botës.
Çmimet e naftës kanë rënë me 20 për qind, me brent bruton që është shitur për 35.98 dollarë një fuçi. E kjo sipas ekspertëve, tregon një nivel nervoziteti në tregje që nuk është parë për një kohë të gjatë. Çmimet e naftës kishin rënë ndjeshëm që më herët ndërsa koronavirusi po përhapej në shkallë ndërkombëtare, çka edhe ka bërë që kërkesa për karburante të bjerë. Por javën e kaluar, eksportuesit e OPEC, përfshirë Arabinë Saudite, ranë dakord të reduktonin prodhimin në mënyrë që të mbështesnin çmimet.
Sidoqoftë ajo donte që prodhuesit jo anëtarë të opecut si Rusia, të pranonin reduktimet, por kjo e fundit i ka refuzuar planet. Si kundërpërgjigje, Arabia Saudite uli çmimet për naftën dhe planifikon të rrisë prodhimin e kjo po konsiderohet si një demonstrim force në tregun e naftës, që ka si qëllim ta bëjë Rusinë të futet në linjë.
Top Channel