Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të takojë të hënën presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një deklaratë për media, kabineti i kryeministrit ka thënë se Kurti në vend të takimit me Thaçin, do të jetë pjesë e seancës së Kuvendit të Kosovës, në të cilin do të flasë Vasfije Krasniqi-Goodman, një prej viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Përveç kësaj, Kurti ka pasur përmendur edhe arsye tjera. “Presidenti sot e paska lënë t’i takojë krerët e partive. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk kam as interes e as gatishmëri ta takoj presidentin aktual.

Si kryeministër e kam obligim. Takohemi një ditë tjetër kur të mbarojë me partitë”, thuhej mes të tjerash.Thaci ftoi kryetarët e partive më të mëdha politike në takim me qëllim informimin, konsultimin dhe koordinimin për çështje të interesit shtetëror. Pas takimit me kryetarin e AAK, Ramush Haradinaj, ky i fundit tha se Thaci ka dhënë shpjegime për diskutimet me homologun serb Vucic në Uashington, por nuk ka paraqitur dokument mbi marrëveshjen finale, Kosovë-Serbi.

“Nuk ka nxjerrë ndonjë dokument, por shpjegime ka dhënë se është biseduar për mundësinë e ecjes përpara marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, por nuk kishte ndonjë dokument, ndonjë gjë konkrete specifike”.

Sipas tij, nëse diskutohet shkëmbimi i territoreve, apo korrigjimi ky proces është i dështuar që në fillim.

“E shpjegova faktin se suksesi i një procesi për një marrëveshje finale varet nga temat që trajtohen. Në rast se trajtohet territori ose korrigjimi, atëherë ky proces ka dështuar para se të fillojë. Nëse respektohet integriteti territorial i Kosovës dhe Kushtetua, atëherë ka shanse”.

Haradinaj edhe sot përmendi idenë e tij për një konferencë dyditore me liderët politikë në Kosovë, por tha se presidenti Thaçi nuk ka dhënë qëndrim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA