TIRANË- Tre persona janë paraqitur në QSUT në kryeqytet me temperaturë të lartë dhe bllokim në rrugët e frymëmarrjes, simptoma këto të ngjashme me koronavirusin.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se një nga pacientët me këto simptoma është një 22-vjeçare e cila kishte vetëm pak ditë që ishte rikthyer nga Italia. Ndërkohë dy pacientët e tjerë janë të moshës 45 vjeç dhe 47 vjeç bashkëshortë me njëri-tjetrin dhe fqinj të vajzës e cila kishte ardhur nga Italia. Përveç tre rasteve të nisura nga Skrapari drejt QSUT-së mesditën e sotme, një tjetër rast me simptoma të njëjta është nisur në QSUT nga Spitali Rajonal i Beratit.
Për sa u përket tre pacientëve që ishin fqinj me njëri-tjetrin dhe nga spitali i Skraparit janë nisur mesditën e sotme për në Tiranë. Burime për Top Channel nga spitali i Skraparit ku fillimisht ishin paraqitur tre personat në fjalë, kanë bërë të ditur se pacientët kanë ndenjur disa ditë në këtë spital ndërsa mesditën e sotme janë nisur drejt QSUT.
Ndërkohë lajmi për Top Channel për pacientin e katërt nga Berati konfirmohet nga drejtoresha e Spitalit të Beratit, Edlira Shkëmbi,e cila ka pohuar se rasti me temperaturë të lartë dhe vështirësi në rrugët e frymëmarrjes ishte nga Skrapari dhe pasi u mbajt disa orë në Spitalin e Beratit ku u trajtua dhe ju morën kampionet e analizave dhe më pas u dërgua me ambulancë në Tiranë. Kujtojmë se në vendin tonë janë konfirmuar në rrugë zyrtare dy raste të prekur nga koronavirusi, babë e birë të cilët ishin kthyer nga Italia.
Top Channel