Nuk është më një ëndërr, Armando Broja debuton me Chelsean

08/03/2020 18:16

Pak ditë më parë firmosi kontratën si profesionist me skuadrën e Chelseat, pjesë e moshave të të cilës ishte prej vitesh, ndërsa sot erdhi edhe debutimi në Premier League, për sulmuesin 18-vjeçar shqiptar, Armando Broja.

Djaloshi kuqezi ishte grumbulluar prej ditësh nga Lampard, që të stërvitej me skuadrën e parë, ndërsa sot ishte në pankinën në sfidën e londinezëve përballë Evertonit të Carlo Ancelottit, që u fitua nga vendasit me shifrat e thella 4-0.

Pikërisht për shkak të komoditetit që i jepte rezultati, Franck Lampard vendosi të hedhë në fushë sulmuesin nga Malësia e Madhe në minutën e 86’ të sfidës, ndërsa në ato pak raste që u vu në kontakt me topin, Broja tregoi se ka një të ardhme të ndritur.

Në kontaktin e parë me topin në krah të sulmit, arriti të zbresë shpejt dhe të fitojë një rivënie anësore, ndërsa në prekjen e dytë të sferës, shtangu mbrojtësin Holgate, i cili e ndali më pas me një ndërhyrje shumë të rëndë, që i kushtoi kartonin e verdhë.

Pikërisht nga kjo goditje dënimi Broja pati shansin të shënojë edhe golin e parë si profesionist me fanellën e Chelseat, por topi i ardhur në zonë nuk u arrit për çështje milimetrash, ndërsa në fund shtatlarti i Kombëtares Shqiptare mori edhe komplimentet e shokëve të skuadrës.

Pas debutimit me Chelsean, tashmë Broja pritet të debutojë edhe me Kombëtaren e madhe shqiptare në miqësoret e muajit mars, duke qenë se deri tani ka luajtur vetëm me Shqipërinë U19 dhe atë U21.

Chelsea mposhti bindshëm 4-0 Evertonin, falë golave të shënuar nga Mount, Pedro, Willian dhe Giroud, nga dy për çdo pjesë loje, ndërsa Ancelotti doli kokë-ulur nga stadium ku ka drejtuar për herë të parë në Premier League.

Top Channel