Ndonëse me një këmbë në Kategorinë e Parë dhe me shumë emra të rinj e pa eksperiencë në Superiore, Luftëtari respekton kampionatin dhe këtë e tregoi edhe pasditen e sotme ndaj Bylisit, të cilin e ndali në një barazim 1-1.

Trajneri Neritan Novi u shfaq mjaft i kënaqur me atë që futbollistët e tij dhanë në fushën e lojës, ndonëse pranoi se mbijetesa është “mision i pamundur” dhe se duhet të mendojë që tani për sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë.

Ju konsiderojnë të rënë, por jeni aty dhe sot arritët të ndalni Bylisin…
Ekip i Luftëtarit ka një grup çunash të shkëlqyer që kanë etje për futboll. Ne do ta vazhdojmë kampionatin deri në fund, pavarësisht se mund të quhemi të rënë. Nuk do t’i hapim rrugë asnjë skuadre. Jam i kënaqur me barazimin, por ashtu siç erdhi loja duhet ta kishim fituar takimin. Dolëm 3-4 herë në kundërsulm, por nuk arritëm të konkretizojmë, megjithatë i falënderoj çunat për atë çka dhanë në fushë.

Besoni ende te mbijetesa?
Është shumë e vështirë mbijetesa. Për mendimin tim ne kemi zbritur nga kategoria, ndaj duhet të mendojmë më shumë për vitin tjetër, në Kategorinë e Parë.

Çfarë i mungon skuadrës për të fituar?
Ne na mungon njeriu gol. Atë do të dëshironim ta kishim. Një golashënues do na i bënte më të thjeshtë punën, megjithatë lojtarët e rinj janë me shumë perspektivë.

Top Channel