Milan nuk e përballon “qetësinë” e stadiumit, fitojnë dy skuadrat gjenoveze

08/03/2020 19:28

Atmosfera e trazuar me shkarkimin e Boban dhe zërat për një firmë të parakohshme me trajnerin gjerman Ralf Rangnick, por edhe një “qetësi e frikshme”prej shkallëve të boshatisura të “San Siros”, kanë bërë që Milani të shfaqet i pafuqishëm dhe të mposhtet 1-2 nga Genoa.

Në një sfidë ku kuqezinjtë vinin si favoritët dhe “të dënuar” për të fituar, miqtë arritën të shënojnë dy herë në pjesën e parë, me anë të Goran Pandev dhe Cassatës, duke komplikuar pasditen për djemtë e Piolit.

Zlatan Ibrahimovic provoi të rihapë takimin me një gol të shënuar në minutën e 77’, por deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar dhe Genoa mori një 3-pikësh shprese, ndërsa Milani “vrau” shpresat për një vend në zonën Champions.

Sfida tjetër e pasdites, ajo mes Sampdorias dhe Veronës, u fitua nga ligurët me rezultatin 2-1 me përmbysje. Ishte skuadra e Juric që kaloi e para në avantazh me anë të Zaccagnit, por Samp reagoi në mënyrë perfekte në pjesën e dytë.

Kapiteni dhe njëkohësisht sulmuesi veteran, Fabio Quagliarella u rikthye te golat, duke arritur të shënojë dy herë ne portën e Veronës dhe të përmbysë rezultatin, ndërsa me këtë trepikësh, Sampdoria del përkohësisht nga zona e ftohtë.

Top Channel