Gafë e Stazhillës, Tirana mposht Laçin dhe nis arratinë në krye

08/03/2020 19:09

Tirana nis arratinë në krye të renditjes së kategorisë Superiore, pasi ka bërë detyrën edhe në sfidën e vlefshme për javën e 26 përballë Laçit, ku fitoi me rezultatin minimal 1-0, falë një goli të Michael Ngo’o.

Bardhblutë konfirmuan momentin e mirë me Emanuel Egbo në stol, periudhë në të cilën janë ndalur vetëm një herë në barazimin me Skënderbeun, ndërsa “Air Albania” është shndërruar në stadiumin me fat të bardhebluve.

Në sfidën e pasdites së sotme, Tirana vuajti jo pak përballë kurbiansve, që ishin rreshtuar mirë në fazën mbrojtëse dhe zbrisnin shpejt me kundërsulme, ndonëse u mungonte në emër si Nwabueze në sulm, pasi ishte i dëmtuar.

Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, ndërsa në mesin e pjesës së dytë Armando Cungu humbi edhe shërbimet e Bedri Grecës, që u dëmtua dhe kërkoi zëvendësim, ndërsa Egbo hodhi në fushë edhe Grent Halilin për të gjetur golin e fitores.

Ndonëse bardheblutë nuk po arrinin të shkonin rrezikshëm në zonën e portës së Stazhillës, ishte pikërisht ky i fundit që gaboi fatalisht në dalje, pas një krosimi nga krahu, pasi doli bosh dhe i dha mundësinë sulmuesit Michel Ngo’o që të dërgojë sferën në rrjetë, me portën e boshatisur.

Ky gol i dha qetësi Tiranës, që filloi të menaxhojë lojën e të ulë ritmin, ndërsa Laçi ishte i pafuqishëm për të reaguar dhe freskia e Prengës nuk arriti të shndërrohet në kërcënim për mbrojtjen e bardhevbluve.

Tirana merr kështu një tjetër sukses dhe ngjitet në kuotën e 53 pikëve, plot 11 pikë më tepër se Kukësi ndjekës, me verilindorët që do të luajnë nesër në Korçë, ndërsa Laçi mbetet në vendin e tretë me 41 pikë.

FOTO GALERI
1/21

Top Channel