Shifrat e rasteve me koronavirus në Itali, vazhdojnë të rriten frikshëm.

233 të vdekur dhe 5061 të prekur janë shifrat e fundit.

Kreu i mbrojtjes civile Angelo Borrelli tha se janë 2.651 pacientë të shtruar në spital me simptoma, nga të cilat 567 në kujdes intensiv.

Nga ana tjetër, 1,843 njerëz janë në izolim në shtëpi.

Ndër të prekurit është edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Nicola Zingaretti ka rezultuar pozitiv ndaj testeve të koronavirusit.

Vendi tani raporton shifrën më të lartë të viktimave jashtë Kinës, ku virusi u shfaq në dhjetor. Instituti kombëtar i shëndetit tha se mosha mesatare e viktimave ishte 81, dhe shumica e tyre, vuanin nga probleme të tjera shëndetësore.

Rreth 72 për qind e viktimave ishin meshkuj. Sipas të dhënave qeveritare, 4.25 për qind e individëve tek të cilët është konfirmuar koronavirusi kanë vdekur, shkallë kjo më e larta në botë. Italia ka një nga popullatat më të moshuara në botë. Qeveria këtë fundjavë urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave për 10 ditë ndërsa ajo përpiqet të vendosë nën kontroll virusin.

Të gjitha eventet sportive, përfshirë futbollin, do të luhen me dyer të mbyllura për një muaj. Ajo që po shqetëson banorët ndërkohë është se ceremonitë funerale për viktimat e koronavirusit nuk po lejohen për shkak të nevojës për të kufizuar tubimet e njerëzve. Priftërinjtë thonë disa lutje, dhe kjo është e gjitha. Ndërsa Vatikani, që raportoi rastin e parë të premten, tha se po shqyrtonte mundësinë që mesha e të dielës, e drejtuar nga papa, të ofrohej vetëm në video, dhe jo nga një dritare e Vatikanit, për të evituar po ashtu turmat. Vetë papa që është prekur nga ftohja, ka testuar negativ për koronavirusin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA