E shtuna futbollistike në Supersport, spikasin Barça-Real Sociedad dhe Gladbach-Dortmund

07/03/2020 10:40

Barcelona do të përballet në shtëpi me Real Sociedad-in me misionin e qartë për të hedhur pas krahëve dështimin në “el clasico”.

Të gjithë prisnin një lloj reagimi të kampionëve në fuqi në sfidën e Madridit, megjithatë Barca luajti mirë vetëm në fraksionin hapës, një pjesë ku skuadra blaugrana meritonte të shkonte në interval me një avantazh me gola diferencë. Natyrisht nuk është as hera e parë dhe as e fundit që Barcelona mundet në duelin më të ndezur të Spanjës, sidoqoftë bën përshtypje rënia e ekipit në pjesën e dytë dhe sidomos performanca e yllit të skuadrës Lionel Messi. Kapiteni i Barcës ishte një ndër futbollistët më të dobët në fushë, por mbi të gjitha golashënuesi më i mirë në Primera Division shpërdoroi mundësi të shkëlqyera që mund të kishin ndryshuar krejtësisht fatin e këtij takimi, megjithëse për hir të së vërtetës u bë vërtet shumë kohë që Mesi nuk ia del t’i shënojë skuadrës merengues.

Zemërimi i mediave katalanase ra mbi trajnerin aktual Quique Setien, që dy muaj më parë zëvendësoi Ernesto Valverden, por gjithashtu edhe mbi ndihmësin e tij Eder Sarabia që u kap nga kamerat duke shfaqur hapur në stol pakënaqësinë e tij për lojën e futbollistëve të Barcelonës në fushën e Santiago Bernabeut. Natyrisht gjërat dihen botërisht se si funksionojnë në klubin nga Katalunja dhe 61-vjecari nga Cantabria doli me shpejtësi për të kërkuar të falur publikisht, për gjestet e asistentit të tij, pak a shumë njësoj sic edhe u shtrëngua edhe një nga drejtuesit më të lartë, francezi Eric Abidal për t’i kërkuar të falur sulmuesit argjentinas Leo Mesi, për polemikat që nxitën deklaratat e tij në lidhje me impenjimin e disa prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, gjë që sipas tij i kushtoi edhe stolin ish-trajnerit Ernesto Valverde.

Që të gjithë ata që mendonin se fajtor ishte 56-vjecari nga Extremadura dhe se shkarkimi i Valverdes do të përmirsonte situatën gabuan rëndë, sepse gjendja te klubi i famshëm blaugrana vetëm sa është përkeqësuar. Në kampionat ka shumë kohë në dispozicion për t’i ndrequr gjërat, pasi diferenca me rivalët e përjetshëm është thjesht një pikë. Ekipi do të bëj cmos për të bërë përpara në Champions, megjithëse sfida me Napolin me formën aktuale që ka skuadra paraqitet tepër e vështirë dhe në rast dështimi Spanja rrezikon të mbetet pa asnjë klub në kompeticionin më të rëndësishëm të Kontinentit të Vjetër. Sezonin e kaluar krahasuar me këtë të sivjetshmin Barcelona kishte në klasifikimin e përgjithshëm vetëm 5 pikë më shumë, kështuqë gjithcka mund të ndryshojë, për më tepër bëhet fjalë për një kompeticion të cilit Barça ia ka marrë dorën, duke patur parasysh që klubi blaugrana e ka ngushtuar ndjeshëm diferencën e trofeve në kampionatin spanjoll me Realin e Madridit, duke fituar plot 8 nga 11 edicionet e fundit në Primera Division. Përballë qëndron klubi nga San Sebastiani, që pozicionohet në vendin e gjashtë, me vetëm 12 pikë më pak se sa skuadra e Barcelonës.

Sezonin e kaluar klubi blaugrana fitoi titullin me plot 37 pikë më tepër se sa Sociedadi, gjithsesi në mesjavë ekipi bask ia doli mbanë për të siguruar finalen e parë në Kupën e Mbretit, pas plot 32 vjetësh, e si për ironi të fatit edhe në vitin 1988 bardheblutë u mundën në takimin final minimalisht 1-0 pikërisht nga skuadra katalanase. Në fazën e parë sulmuesi shtatlartë suedez Alexander Isak barazoi shifrat dhe Barcelona doli nga Vendet Baske me barazimin 2-2, ndërsa përpara atij takimi ekipi katalanas numëronte plot shtatë fitore rresht në përballjet ndërmjet tyre. Ndeshja do të luhet pra në Camp Nou në orën 18:30, ndërsa në mbrëmje në orën 21:00 në rrethinat e Madridit do të mbahet takimi Getafe-Celta Vigo, ndërkaq në kryeqytet më herët në orën 16:00 interes ngjall shumë sfida Atletico – Sevilla, megjithëse për hir të së vërtetës vëmendja e futbollistëve të Simeones është te dueli i mesjavës në Champions, përballë kampionëve në fuqi të Liverpoolit.

Në Holandë orari 20:45 rezervon duelin Heerenveen-Ajax. Në Angli pas eliminimit në FA Cup në orën 18:30 Tottenham Hotspur rrezikon ndjeshëm edhe në Turf Moor, në takimin me Burnley-n, ndërkaq në Supersport nuk do të mungojë as Bundesliga, që në orën 15:30 ofron fillimisht sfidën Wolfsburg – Leipzig, ndërsa në orën 18:30 do të zhvillohet derbi i Borusiave, Gladbach – Dortmund ndeshje të cilat gjithë të apasionuarit e kampionatit gjerman do të kenë mundësi për t’i ndjekur si zakonisht nëpërmjet kanalit Eurosport 2.

Top Channel