Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka shpallur zgjedhjet e parakohshme në Serbi. Të njëjtën ditë do të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale.

Zgjedhjet janë shpalluar pas një periudhe disamujore të acarimeve mes partive në pushtet dhe opozitës. Ka pasur edhe një dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por pa ndonjë rezultat konkret. Një pjesë e opozitës i përmbahet qëndrimint se zgjedhjet e parakohshme duhet të bojkotohen, duke argumetnuar se në Serbi nuk ekzistojnë kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike. Sipas tyre, në Serbi nuk respektohen standardet demokratike për zgjedhje të lira.

Legjitime apo jo

Analisti politik Milan Nikoliq thotë për Deutsche Welle-n se “Vuçiqi dhe partia e tij përparimtare SNS pohojnë se zgjedhjet janë legjitime, por kështu nuk mendon një pjesë e madhe e opozitës. Parë me objetkivitet opozita ka të drejtë, sepse kushtet për zgjedhje nuk janë të barabarta”, pohon Nikoliq.

Por Nikoliq thekson, se SNS do të fitonte edhe sikur Vuçiqi të pranonte të gjitha kushtet e opozitës, sepse në sondazhet e fundit thuhet se partia e tij do të fitojë më shumë se 40% të votave. “Ndaj befason fakti pse Vuçiqi nuk i ka pranuar të gjitha kushtet e opozitës, sepse kështu do të fitonte edhe më shumë simpati dhe vota”.

Pjesëmarrja në zgjedhje

Politologu Boban Stojanoviq mendon se dilema më e madhe e këtyre zgjedhjeve është se kush do të futet në parlament, përveç SNS dhe socialistëve të ministrit të Jashtëm Ivica Daçiq. Partitë që duan të bojkotojnë zgjedhjet do të duhej, sipas tij, të fillojnë një fushatë të fuqishme kundër pjesëmarrjes në zgjedhje. Këto janë dy të panjohurat e vetme: sa vetë do të dalin në zgjedhje dhe cilat parti do ta kalojnë cenzusin dhe do të futen në parlament, thotë Stojanoviq për DW.

Mungesa e unitetit

Pjesa e opozitës që do të bojkotojë zgjedhjet ka probleme të mëdha të brendshme, sepse është e përçarë. Opozita do të donte që të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në disa komuna, sepse duan ta mbajnë pushtetin atje, por nuk do të marrë pjesë në zgjedhje të tjera. Milan Nikoliq thotë se opozita as vet nuk e ka të qartë se çfarë do të bëjë. Flitet për mundësinë e një rezistence qytetare, por nuk dihet se në ç’formë do të organizohej ajo. “Kjo rezistencë mund të çojë deri në konflikte të hapura në rrugë“, paralajmëron Nikoliq.

Ndërsa Boban Stojanoviq paralajmëron se dialogu mes pozitës dhe opozitës i kohëve të fundit nuk ka sjellë asnjë rezultat konkret. „Pushteti ka vendosur të ulë pragun e përfaqësimit në parlament në 3%, vetëm për të evituar bojkotimin e zgjedhjeve. Asgjë tjetër nuk ka ndryshuar dhe të gjitha janë nën kontrollin e partisë SNS në pushtet.”

Fushata negative

Presidenti i Serbisë pohon se do të jetë kjo një prej fushatave më të gjata parazgjedhore, ku partitë do të kenë kohë të mjaftueshme për të prezantuar programet. Vuçiq pret “ngritje të tonit gjatë fushatës dhe mosmarrëveshje”, por shpreson se e gjitha do të kalojë në frymën demokratike dhe pa incidente. Milan Nikolić thotë për DW se “pritet një fushatë e ashpër dhe e ndyrë mes partive. Do të ketë mosmarrëveshje edhe më të mëdha mes opozitës dhe Vuçiqit. Nikoliq dhe Stojanoviq mendojnë se kjo do të jetë një fushatë kryesisht negative dhe e mundimshme për të gjithë qytetarët e Serbisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA