Ngacmimet seksuale në ushtri, SHBA financon 20 koordinatorë nga Prokuroria e Përgjithshme për të mësuar nga Garda e Nju Xhersit

06/03/2020 16:35

TIRANË- Zyra e OPDAT e Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës e Departamentit të Shtetit ka financuar pjesëmarrjen e më shumë se 20 Koordinatorëve për Ndihmën ndaj Viktimave nga Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme nga e gjithë Shqipëria, për të mësuar se si Garda Kombëtare e Nju Xhersit i jep prioritet të drejtave të viktimave.

Njoftimin e ka bërë Ambasada e SHBA në Tiranë ku njofton se ditën e djeshme anëtarët e Zyrës së Prokurorëve të Lartë Ushtarakë nga Garda Kombëtare e Nju Xhersit u takuan me anëtarë të Forcave të Armatosura Shqiptare për të diskutuar ndjekjet penale të çështjeve të ngacmimit seksual dhe sulmit seksual në ushtri.

“Në 5 mars, anëtarë të Zyrës së Prokurorëve të Lartë Ushtarakë nga Garda Kombëtare e Nju Xhersit u takuan me anëtarë të Forcave të Armatosura Shqiptare për të diskutuar ndjekjet penale të çështjeve të ngacmimit seksual dhe sulmit seksual në ushtri.

Zyra e OPDAT e Ambasadës financoi pjesmmarrjen e më shumë se 20 Koordinatorëve për Ndihmën ndaj Viktimave nga Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme nga e gjithë Shqipëria, për të mësuar se si Garda Kombëtare e Nju Xhersit i jep prioritet të drejtave të viktimave.”

Kujtojmë se ushtria shqiptare nuk është imune nga ngacmimet seksuale ndaj vajzave dhe grave pjesë e Forcave të Armatosura. Sipas një studimi të PNUD-it vite më parë, 1 në 12 femra në ushtrinë shqiptare kishte rënë pre e ngacmimit.

Ministrja e mbrojtjes Olta Xhacka deklaroi se ngacmimet seksuale janë një fenomen që godet Forcat e Armatosura edhe më moderne se ato shqiptare. Ministria e mbrojtjes në bashkëpunim me PNUD prezantoi dhe një pakete me politika kundër ngacmimit seksual në FA. Sipas ministres kjo paketë, është një nga gurët e themelit të transformimit dhe emancipimit të FA.

Dokumenti synon të parandalojë dhe reduktojë të gjitha format e dhunës, ndërkohë Ministria e Mbrojtjes është institucioni i dytë publik me një politikë kundër ngacmimit seksual.

Top Channel