Gjermania i dhuron 7 mjete Policisë Shqiptare, Lleshaj: Do thellojmë luftën kundër krimit të organizuar

06/03/2020 12:10

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u organizua ceremonia e dorëzimit të 7 mjeteve të dhuruara nga Ministria e Brendshme Federale e Gjermanisë.

Ato do të përdoren nga forcat speciale të Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë, Tiranë. Në ceremoni mori pjesë Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe drejtues të lartë policorë.

Fjala e ministrit Lleshaj:

Mirëdita,

I nderuar z. Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë z. Peter Zingraf,
I nderuar Drejtor i Policisë së Shtetit,
Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi që për të disatën herë në fakt, marr pjesë në ceremoni të ngjashme që zhvillohen për pritjen e ndihmave të asistencës që Republika Federale e Gjermanisë, përmes strukturave të saj të Policisë, i jep Policisë së Shtetit shqiptar.

Kjo mbështetje është shenjë e një bashkëpunimi të thellë, në fakt edhe të vjetër tashmë, që ekziston midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Shqipërisë në të gjithë sektorët, ku edhe sektori i sigurisë, rendit publik, po merr përditë e më shumë një rëndësi të re.

Kemi qenë dëshmitarë të disa paketave të ndihmës që kemi marrë në të shkuarën e afërt për Policinë e Kufirit, për Policinë Kriminale, për Emergjencat, dhe sot bëhemi dëshmitarë të një pakete tjetër, e cila siç u përmend dhe nga Ambasadori, nuk përbëhet thjesht nga këto automjete, por është një paketë, e cila përfshin automjete, përfshin pajisje, përfshin trajnim, që është një ndër gjërat më të rëndësishme. Trajnim të strukturave të Policisë së Shtetit për të punuar sipas standardeve më të mira europiane.

Besoj që përmes kësaj njësie ne vendosim një model se si do të jetë Forca e Ndërhyrjes së Shpejtë në të ardhmen. E pajisur mirë, me mjete moderne, e trajnuar mirë dhe e motivuar mirë për të kryer detyrën e saj të rëndësishme.

Me sa kam diskutuar dhe me kolegët gjermanë, të cilët gjej rastin t’i falënderoj edhe nominalisht, veçanërisht z. Kruger dhe znj. Geschke, të cilët janë prapa kësaj pakete.

Jam i informuar se përpjekjet do të vazhdojnë për ta thelluar këtë bashkëpunim, ndoshta dhe ndonjë kontigjent tjetër i ngjashëm do të mund të bëhet pjesë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Ajo që kërkohet prej nesh të gjithëve është që të jemi në lartësinë e kësaj teknologjie që marrim në dorë, “Mercedes” me sa pashë, dhe është mirë që edhe Policia tashmë të ngjitet në këtë nivelin e ‘Mercedes-it’. Për të gjithë ata që e ndjekin me simpati dhe pasion punën e Policisë, do të them që ky është një lajm i mirë për arsye se ne duhet të ngjitemi aty ku është niveli më i lartë, në të gjitha planet. Besoj që ju të gjithë e keni merituar edhe këtë paketë motivimi, e cila do të thellohet më tej në të ardhmen në mënyrë që të ngjitemi edhe në pikëpamje të modernizimit të teknologjisë në lartësinë e seriozitetit të detyrës, të cilën duhet të përmbushim dhe në lartësinë e pritshmërive që ka publiku për angazhimin e Policisë në ruajtje të sigurisë publike.

Ne jemi tashmë, si Polici e Shtetit dhe si Qeveri, të përfshirë në një angazhim të madh për të thelluar luftën kundër krimit në përgjithësi, kundër krimit të organizuar në veçanti. Ditën e djeshme, ishit dëshmitarë të miratimit në Kuvendin e Shqipërisë të dy ligjeve të rëndësishme, të cilat synojnë thellimin e mëtejshëm të luftës kundër krimit të organizuar në vend, ligji special, por edhe ligji për Agjencinë e Seteve të Sekuestruara. Të dy këto ligje synojnë që të krijojnë mundësi të reja për të rritur efektivitetin e angazhimit të Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar. Ne kemi besim të plotë që Policia do t’i përgjigjet kësaj pritshmërie të lartë publike, për ta thelluar luftën kundër krimit të organizuar, për t’u futur në një fazë të re të saj, me qëllim që të përmbushen jo vetëm pritshmëritë e publikut, por edhe detyrimet tona në kuadër të integrimit europian të vendit.

Në të njëjtën kohë, Qeveria është e motivuar dhe e angazhuar për ta rritur mbështetjen e saj ndaj Policisë. Siç duhet të jeni në dijeni, edhe paketa e re ligjore që u miratua dje, synon që një pjesë të rëndësishme të aseteve që do të sekuestrohen e konfiskohen për shkak të thellimit të luftës kundër krimit të organizuar, t’i vërë në dispozicion të vetë Policisë së Shtetit për të rritur kapacitetet për modernizimin e saj, por dhe për motivimin e personelit. Dhe kjo gjë do të ndodhë.

Kështu që në përfundim, dua edhe njëherë ta falënderoj Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, ta falënderoj z. Kruger, znj. Geschke, pra të gjithë ekipin gjerman të sigurisë këtu në Shqipëri për këtë mbështetje shumë të çmuar, të ardhur në kohën e duhur, e cila motivon Policinë, motivon FNSH dhe na bën që të shohim përpara me optimizëm për plotësimin e detyrave, që kemi në shërbim të publikut dhe qytetarëve tanë. Faleminderit!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA