Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua ceremonia e dhurimit të 7 automjeteve të markës Mercedes Benz Sprinter, për Policinë e Shtetit nga Policia Federale gjermane.
Pjesë e kësaj ceremonie kanë qenë pjesë Ministri i Brendshëm, Sander Lleshaj, Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, e Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Në fjalën e tij, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, shprehet se ceremonia e sotme ka dyfish rëndësi dhe vlerë, pasi sot Policisë së Shtetit i jepet një tjetër mbështetje në logjistikë, një mbështetje shumë e nevojshme dhe e domosdoshme për të përmbushur detyrat e saj.
Fjala e plotë:
I nderuar z. Ministër i Brendshëm,
I nderuar z. Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri SHT Peter Zingraf,
Të nderuar kolegë,
Ceremonia e sotme ka dyfish rëndësi dhe vlerë, pasi sot Policisë së Shtetit i jepet një tjetër mbështetje në logjistikë, një mbështetje shumë e nevojshme dhe e domosdoshme për të përmbushur detyrat e saj. Kjo mbështetje, kësaj radhe vjen përsëri nga një ndër partnerët tanë strategjikë, siç është Policia Federale Gjermane.
Së pari, më lejoni të shpreh vlerësimet e mia për marrëdhëniet mjaft të mira të bashkëpunimit me Policinë Federale të Gjermanisë dhe me BKA-në, marrëdhënie jo thjesht protokollare, por shumëdimensionale, konkrete dhe të vlefshme në drejtim të rritjes së profesionalizmit, përmirësimin e imazhit, përmirësimit të logjistikës dhe të besueshmërisë.
Policia e Shtetit, sidomos vitet e fundit, është mbështetur fuqishëm, qoftë nga BKA-ja, ashtu edhe nga Policia Federale, por edhe nga qeveria gjermane, nëpërmjet ambasadës së saj në Tiranë, mbështetje kjo në logjistikë, trajnime, shkëmbim eksperiencash, në operacione policore të përbashkëta, qoftë me Policinë Kriminale, ashtu edhe me Policinë Kufitare.
Kjo mbështetje, jo vetëm nga Gjermania, por nga shumë partnerë seriozë dhe agjenci ligjzbatuese, ka ardhur si rezultat i rritjes së besueshmërisë, profesionalizmit dhe vendosmërisë së Policisë së Shtetit vitet e fundit, për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin krah për krah dhe e barabartë me policitë homologe.
Ministria e Brendshme Federale gjermane, e përfaqësuar nga Presidiumi i Policisë Federale, i ka dhuruar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, 7 automjete të markës Mercedes Benz Sprinter që kapin shifrën 327.000 euro dhe sot jemi këtu në këtë ceremoni të thjeshtë, por kuptimplotë, për të marrë në dorëzim nëpërmjet Ambasadorit, Shkëlqesisë së Tij zotit Zingraf, këto automjete të kalueshmërisë së lartë, të loguara dhe të pajisura me sinjalistikë policie, të cilat do të jenë në përdorim nga Reparti i Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë.
Kjo parti mjetesh i shtohet mjeteve dhe donacioneve të tjera të dhuruara nga strukturat e Ministrisë së Brendshme Federale gjermane ndër vite.
Rinovimi i herëpashershëm i flotës së Policisë, me automjete të reja dhe cilësore, përmirëson akoma më tej performancën e strukturave policore dhe njëkohësisht kushtet e punës dhe shërbimit të punonjësve të Policisë e në këtë rast atyre të FNSH-së, të cilët gjej rastin t’i uroj dhe përgëzoj për punën dhe përkushtimin e tyre në detyrat e ngarkuara.
Duke përfunduar dua të siguroj partnerët tanë se Policia e Shtetit, me profesionalizëm dhe besueshmëri të lartë, do vijojë e vendosur luftën ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit, duke bashkëpunuar ngushtësisht me të gjitha agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurt.
Faleminderit!
Top Channel