Ditën e sotme është dorëzuar në gjykatën e Lartë rekursi për Ergys Kolaverin, i cili u lirua para pak ditësh nga gjykata e apelit Tiranë. Prokuroria kërkon kthimin e tij në burg.
Gjykata e Apelit te Tiranës liroi Ergys Kolaverin më datën 16 janar 2020. Ai ishte dënuar me 20 vite burgim nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda si të implikuar në atentatin me snajper që kishte në shënjestër hasmin e tij Gazmir Dacin.
Ky i fundit mbahej në paraburgimin e Vaqarrit si i dyshuar për vrasjen e vëllait të Kolaverit , Valmir Kolaveri dhe plagosjen e rëndë të Robert Kolaverit që më pas solli edhe përplasjen për shkak të gjakmarrjes.
Gjyqtarët konstatuan humbjen e fuqisë së masës së sigurisë ndaj 29-vjeçarit , i arrestuar gjatë 2016-ës menjëherë sapo në burgun e Vaqarrit ngeli i plagosur një shtetas ndërsa në planin e vrasësve ishte eleminimi i të burgosurit, Gazmir Daci.
Sipas treshes së gjyqtarëve të Tiranës Genti Shala, Shkëlqim Mustafa dhe Andi Civici, Kolaveri nga arrest me burg duhet të mbahet nën arrest shtëpiak, i ruajtur me polici dhe me mbikëqyrje elektronike .
Lirimi i Kolaverit erdhi pas transformimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda në gjykatë kundër korrupsionit, çka solli edhe rigjykimin e tij pasi vepra e vrasjes së ngelur në tentativë për shkak të gjakmarrjes nuk ishte më kompetencë e SPAK.
Por gjatë kësaj kohe prokurorja e çështjes së themelit Arta Marku duhet të kryente disa veprime hetimore shtesë.
I dënuari nga shkalla e parë me 20 vite burg ndërkohë nuk ka qëndruar duarkryq por ka kërkuar lirimin me argumentin se afati i qëndrimit në paraburgim kishte përfunduar prej 6 muajsh, një pretendim që u konstatua i drejtë nga gjykata.
Top Channel