Epilogu i javës së 25 në kategorinë Superiore i dha edhe më shumë shpresë Tiranës për të rikthyer titullin kampion. Në vitin jubile të 100 vjetorit të kryeqytetasit, bardheblutë bënë një hap të rëndësishëm për fronin e futbollit shqiptar, pas suksesit 0-2 ndaj Flamurtarit, që bashkë ndalesën e rivalëve, formon një koktejl të denjë për të festuar të paktën disa ditë.
Tirana u imponua në Vlorë fillimisht me një autogol të Vrapit që çoi sferën në vendin e gabuar pas një ngulmimi të sulmuesit Ngo’. Bardheblutë kishin të tjera shanse për të siguruar suksesin, por mbajtën tifozët në ankth në tranfertën bregdetare deri në fund kur Kobina shënoi golin e dytë me një goditje pa shumë pretendime.
Me këtë sukses kryeqyteasit shkojnë në 6 pikë më shumë se Kukësi. Ky i fundit barazoi pa gola ndaj Vllaznisë në një ndeshje ku ngulmoi për të gjithë 90 minutëshin por nuk ia doli të shënonte, pak nga fati i keq e pak nga neglizhenca e sulmuesve. Orges Shehit i duhet të presë për fitoren e parë.
Partizani humbi 1-0 ndaj Teutës në stadiumin Selman Stërmasi duke iu larguar jo vetëm titullit por edhe zonës Europiane.
Ndaj një rivali direkt si ekipi durrsak, formacioni kryeqyteas u dorëzua ndaj një goli me shumë sakrificë të talenti Kallaku, që nuk u kursye në ndërhyrjen mbi Hoxhën që vlejti avantazhin por edhe rrezikoi një dëmtim të rëndë.
Skënderbeu fitoi 2-0 me Luftëtarin duke iu larguar zonës së ftohtë e tani ka shpresë edhe për Europa Ligën. Mensah dhe Jashanica ishin autorët e rrjetave për ‘Ujqërit e Dëborës’. Për tu shënuar dhe suksesi i rëndësishëm i Laçit 2-1 ndaj Bylis, që mban kurbinasit në vedin e tretë.
Top Channel