11 të vdekur në SHBA/ Disa shtete shpallin gjendjen e jashtëzakonshme

05/03/2020 12:25

Ka mbërritur në 11 numri i të vdekurve nga koronavirusi në SHBA, dhe vendi është në panik. Kalifornia,Florida dhe shteti i Washingtonit shpallën gjendjen e emergjencës. Nga sa shpjegoi guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, kjo masë ndihmon të zbuten pak rregullat standarte e t`i jepet një përgjigje sa më e shpejtë epidemisë.

Dhoma e përfaqësuesve ndërkohë, aprovoi shumën prej 8 miliardë dollarësh për t`i bërë ballë avansimit të virusit. Presidenti Trump, që kishte kërkuar 2,5 miliardë, e lavdëroi vendimin në Twitter: “Ky është një lajm i madh për shëndetësinë, ekonominë dhe kombin tonë”, shkroi ai. Nuk ka sakaq kufizime të mëtejshme fluturimesh në SHBA, siç sqaroi dhe zëvendëspresidenti, Mike Pence.

Shtetet e Bashkuara i kanë rritur në nivelin 4, apo gatishmërinë maksimale, udhëtimet nga Lombardia dhe Veneto. Të gjitha pasagjerët e nisur nga Italia me destinacion SHBA-në, duhet t`i nënshtrohen testit të koronavirusit. Në Nju Jork, tre anëtarë të një familjeje dhe fqinji i tyre testuan pozitivë me virusin e ri. Për këtë arsye, rreth 1,000 njerëz në periferinë e kontesë Westchester në veri të qytetit ku jeton familja janë urdhëruar të qëndrojnë brenda për shkak të ekspozimit të mundshëm ndaj virusit. Nga 11 viktimat në Amerikë, 10 janë vetëm në shtetin e Washingtonit, por shpërthim të virusit ka pasur edhe në Teksas e Nebraska.

Për më tepër, Qendra e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftoi se do të tërheqë kufizimet ekzistuese në testim dhe do të paraqesë udhëzime të reja për të shpejtuar testimin, për ata që kanë frikë se janë të infektuar. Por, ende ekzistojnë pikëpyetje se si do të mbahet ky premtim, pasi laboratorët e shëndetit publik këmbëngulin, se aftësia e tyre për përpunimin e testeve është e kufizuar, shkruan BBC. Ekziston edhe çështja e kostos, pas raportimeve se amerikanëve që nuk kanë sigurim shëndetësor u duhet të paguajnë 1,000 dollarë për një analizë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA