Qeveria italiane, nëpërmjet një dekreti të lëshuar pasditen e sotme, ka bllokuar zhvillimin e të gjitha eventeve sportive në praninë e tifozëve deri më datën 3 prill, duke konfirmuar se tani ndeshjet e kampionatit Italian do të duhet të luhen pa praninë e tifozëve.

Kaq ka mjaftuar që drejtuesit e klubeve, të mbledhur në një takim të Ligës në Romë, të vendosin vijimin e kampionatit me dyer të mbyllura, ndërsa që këtë fundjavë do të rikuperohen 6 ndeshjet e shtyra javën e kaluar.

Kështu paraprakisht është vendosur që Juventus-Inter të luhet të dielën në mbrëmje me dyer të mbyllura në “Allianz Stadium”, ndërsa ndeshjet e tjera të luhen të dielën gatë ditës, me përjashtim që sfidës Sampdoria-Verona, që është vendosur të zhvillohet të shtunën në mbrëmje.

Pas rikuperimit të këtyre ndeshjeve, kampionati pritet të vijojë normalisht javë pas jave, ndonëse me dyer të mbyllura deri më 3 prill, me shpresën që më pas alarmi i përhapjes së Coronavirusit të jetë tejkaluar dhe gjithçka t’i rikthehet normalitetit.

Ndërkohë nuk ka ende asnjë datë se kur do të luhen sfidat e kthimit të Kupës së Italisë, ndërsa sfida mes Interit dhe Sampdorias do të zhvillohet me shumë gjasë më 20 maj të këtij viti, ose më herët nëse zikaltrit eliminohen nga Europa League.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA