Gjatë gjyqit për Pal Seçunin, disa fshatarë të Gjirit të Lalzit dëshmuan në gjykatë se e njihnin kositësin e barit, për pronar të truallit që pretendonte. Mes emrave të dëshmitarëve, bie në sy ai i shtetasit Veiz Muharremi. Ky person, është i afërm i Landi Muharremit, pikërisht të fortit të Sukthit të dyshuar për keqtrajtimin e biznesmenit libanez Faadi Mitri.
“Nga këto konkluzione filluam inspektim ndaj gjyqtares, ministri i drejtësisë e kishte ende kompetencën në atë kohe, dhe sigurisht përfundimet i janë çuar dhe prokurorisë mbase mund të krijoni ata një hetim të mëtejshëm apo lidhje mes këtyre ngjarjeve”, thotë Ylli Manjani, ish – Ministër i Drejtësisë.
Më 1 nëntor të vitit 2019, Rrumit i bëhet atentat teksa udhëtonte nga Durrësi drejt Tiranës me prokurorin Arian Ndoja dhe shoferin e tij Andi Maloku. Ky i fundit mbeti i vdekur ndërkohë Rrumi dhe Ndoja u plagosën. Brenda mjetit të prokurorit u gjet dosja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi dhe të tjera që lidhen me pronat në Gjirin e Lalzit. Pra, interesi nuk ishte vetëm te çështja e tokave të biznesmenit libanez.
Mjeti i autorëve të krimit u gjet në fshatin Shkafane po atë mbrëmje. Brenda u gjetën dy kallashnikovët e krimit. Referuar dosjes hetimore që Top Story disponon, në makinë u gjet edhe një bidon me benzinë. Duket se autorët kanë ikur me nxitim pasi disa banorë të zonës ishin gjendur aty. Policia gjeti një palë syze në mjet që kishte shenjat e gishtave të Redjan Rrajës, një prej të fortëve të Fushë Krujës, i afërm i deputetit socialist Rrahman Rraja.
Ai u arrestua dhe mbahet në qeli. Vetë Rraja nuk e ka pranuar krimin. Ngjarja ishte tregues i asaj që përflitej prej kohësh se në luftën për pronat në Gjirin e Lalzit janë përfshirë edhe disa grupe kriminale nga Kruja dhe Durrësi.
Pas atentatit, policia ka shoqëruar edhe shtetasin Julian Meçe, i njohur si anëtar i bandës së Durrësit. Meçe i shpëtoi me plagë të lehta një atentati në Qershor të vitit 2019 në zonën e Kënetës në Durrës. Në atë ngjarje u plagos edhe Plarent Dervishaj. Informacionet e grupit hetimor bëjnë lidhje mes ngjarjeve, por provat mungojnë. Konflikti mendohet se është pikërisht përplasja për pronat në Gjirin e Lalzit.
Ndërkohë, interesant është fakti se gruaja e prokurorit të plagosur Ndoja, Elderina Ndoja është avokate dhe ajo ka përfaqësuar shtetasin Pal Seçuni, personin që kishte konflikt pronësie me biznesmenin libanez. Zonjës Ndoja, në 26 Prill të vitit 2013 i dhurojnë plot 192.211 metra katrorë tokë. Po kaq zemërgjerë është treguar dhe zonja Ndoja duke e dhuruar këtë pasuri pak ditë më vonë, më 8 Maj.
Emri i dhuruesit dhe i përfituesit janë censuruar nga ILDKP. Para se të binte viktimë e atentatit, Prokurori Ndoja ishte etiketuar nga kryeministri Edi Rama ‘si prokurori që i shërben një bande kriminale’, edhe pse shefi i qeverisë nuk ia përmendi emrin.
Gjithçka nisi pasi Ndoja arrestoi kreun e Kadastrës Durrës, Liridon Pula nën akuzën se kishte regjistruar në shkelje të ligjit disa njësi ndërtimore në kompleksin turistik Lura.
Top Story ka mësuar nga disa burime se Pula ishte shantazhuar më herët për regjistrimin e një pallati 20-katësh në Durrës, që ishte në kundërshtim të hapur me ligjin. Procedimi ndaj tij ka nisur pikërisht në kohën kur kishte refuzuar regjistrimin e pallatit në fjalë. Për këto kërcënime ka folur edhe zv.kryeministri Erjon Braçe, por vetë Pula nuk ka preferuar të depozitojë kallëzim penal.
Top Channel