Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut dhe miliarderi, Michael Bloomberg, i dha fund garës për president të Shteteve të Bashkuara, pas rezultateve të dobëta që mori në të ashtuquajturën Super të Martë.
“Tre muaj më parë, unë iu bashkova garës për president për të mposhtur Donald Trumpin. Sot, po e lë këtë garë për të njëjtën arsye”, tha Bloomberg.
Ai ka shpenzuar më shumë se gjysmë miliardi dollarë në garën për t’u bërë kandidat i Partisë Demokratike. Ai tha se tani do ta mbështesë Joe Bidenin në këtë garë.
“Unë gjithmonë kam besuar se mposhtja e Donald Trumpit nis me bashkimin pas kandidatit që i ka shanset më të mira. Pas votimeve të djeshme, është e qartë se ai kandidat është miku im dhe një amerikan i madh, Joe Biden”, tha Bloomberg.
Të martën, në 14 shtete të SHBA-së janë mbajtur zgjedhjet paraprake për kandidatin e Partisë Demokratike. Bloomberg ka arritur të fitojë vetëm në Samoan amerikane, ndërsa Biden ka fituar në nëntë shtete. Ky i fundit fitoi nëntë nga 14 shtetet që votuan për të zgjedhur kandidatin demokrat për shtëpinë e bardhë në atë që njihet si super e marta.
Ish zëvendëspresidenti amerikan, arriti madje të përmbyste parashikimet duke ia rrëmbyer shtetin kyç të Teksasit, rivalit të tij kryesor Bernie Sanders. Sidoqoftë ky i fundit parashikohet të fitojë Kaliforninë, një tjetër cmim i madh në garë.
Partia Demokratike do ta zgjedhë në verë kandidatin e saj që do të sfidojë presidentin aktual, Donald Trump, në zgjedhjet e nëntorit. Aktualisht, më të pëlqyerit janë Joe Biden dhe Bernie Sanders.
Top Channel