Nëna “braktis” të bijën dhe shkon për t’u dëfryer me miqtë, vogëlushja rrëmbehet dhe vritet

04/03/2020 16:53

Pamjet e marra nga kamerat e sigurisë, tregojnë momentet e fundit të një vajze 4-vjeçare, e cila u rrëmbye dhe më pas u vra nga një burrë i çuditshëm, pasi nëna e “braktisi” për të shkuar në një festë.

E ndjera dhe motra e saj dy vjeçe, u lanë në kujdesin e një kushërire të tyre vetëm nëntë vjeçe, nga nëna, e cila dëshironte të dëfrehej me miqtë, thuhej në njoftimin e policisë. Por trupi i pajetë i vogëlushes, të identifikuar si Camila, u gjet në zonën e njohur si La Mina, në Lima të Perusë. Policia nisi kontrollet pasi mori njoftimin nga nëna e Camilas, Mirella Alexandra Huaman Santiago, 22 vjeçe, e cila raportoi se e bija ishte rrëmbyer nga një person i panjohur.

Sipas policisë, Mirella e kishte lënë Camilan së bashku me vajzën tjetër të saj në shtëpinë e një të afërmi, ku ishin kujdesur nga kushërira e tyre 9-vjeçare. Ndërkohë që 22-vjeçarja kishte shkuar në një “Yunza” një festë tradicionale në Peru, që lajmëron fillimin e karnavaleve. Manuel Galvez, kreu i policisë lokale, u shpreh se tre vajzat ishin larguar nga shtëpia për të kërkuar nënën e tyre, e cila nuk ishte kthyer nga festa. Gjatë kërkimeve, vajzat u ndeshën me një burrë, i cili thuhet se u tha atyre se mund t’i ndihmonte të gjenin mamanë.

Në pamjet e marra nga kamerat e sigurisë, shikohet njeriu i paidentifikuar teksa mban në krah Camilan dhe dy vajzat e tjera ecin përbri tij. Kalimtarët që kishin parë burrin së bashku me fëmijët, asistuan në kërkimet e kryera nga policia. Gjatë kërkimeve, autoritetet arritën të zbulonin trupin e pajetë të Camila-s brenda një thesi.

Shefi i policisë Galvez, u shpreh se vajza kishte pësuar lëndime të shumta në qafë dhe vdekja e saj ishte shkaktuar si pasojë e një dëmtimi të trurit, nga një armë e mprehtë. Mjekët janë në pritje të analizave, nëse e ndjera është përdhunuar ose jo para se t’u vriste. Sakaq, babai i dy vajzave, Edwin Valle i cili jeton në SHBA, është shprehur se dëshiron të marrë kujdestarinë e vajzës 2-vjeçare, e cila aktualisht është duke u kujdesur nga autoritetet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA