Koronavirusi në Botë/ Shifrat vazhdojnë të rriten

04/03/2020 20:05

Italia mbetet e mbërthyer nga ethet e koronavirusit dhe bilanci vjen duke u rënduar. Të mërkurën pasdite, u raportuan 2706 të prekur në të gjithë vendin, 443 më shumë krahasuar me një ditë më parë. Numri i viktimave ndërkohë ka shkuar në 107, 28 më shumë se një ditë më parë ndërsa të shëruarit janë 276. Me një dekret qeveritar ndërkohë është urdhëruar mbyllja e shkollave në të gjithë vendin deri më 15 mars dhe po finalizohet edhe një normë që parashikon mundësinë që një prind, në rrethana të tilla, të mungojë në punë, për tu kujdesur për fëmijët minorenë.

Organizata botërore e shëndetësisë, kishte paralajmëruar më herët se askush nuk është imun ndaj koronavirusit. Shkalla e vdekshmërisë së tij është 3.4 për qind, pra më e lartë në krahasim me gripin. Ndërkohë, edhe gjermania ka ndezur alarmin, me ministrin gjerman të shëndetësisë, Jens Spahn, që tha para ligjvënësve se shpërthimi i koronavirusit është shndërruar tashmë në një pandemi globale. Ndërkohë, edhe dy pjesëtarë të stafit që punojnë për administratën e BE në Bruksel kanë rezultuar ndërkohë pozitivë.

Kili dhe Argentina në anën tjetër kanë raportuar rastet e tyre të para duke e çuar numrin total në Amerikën Latine në 17. Zyrtarët e shëndetësisë janë përpjekur të vënë nën kontroll përhapjen e virusit që deri më tani i ka marrë jetën më shumë se 3 mijë personave në shkallë globale. Vetëm në kinë janë regjistruar më shumë se 80 mijë raste dhe 2943 viktima. Ndërsa vendet e tjera më të prekura janë Korea e Jugut me 5186 raste dhe 28 viktima dhe Irani me 2336 raste dhe 77 viktima. Banka botërore ndërkohë ka njoftuar një paketë ndihme 12 miliardë dollarëshe për vendet në zhvillim që po përballen me virusin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA