Dhjetëra nxënës të shkollës së mesme të përgjithshme “Janaq Kilica” në Fier u dërguan sot me urgjencë në spital, si pasojë e problemeve në rrugët e frymëmarrjes.
Teksa aktualisht, dyshimet janë për spërkatje me “gaz piper” në brendësi të ambienteve të shkollës, mjeku i spitalit të qytetit dha një deklaratë për mediat.
“Nxënësit kishin acarim në rrugët e frymëmarrjes. Simptomat që shfaqën ishin jo alarmante. 14 nxënësit e mbetur mund të rrinë një ose dy orë në spital. Nxënësit duhet të qetësohen nga ana emocionale. Janë me oksigjenim të mirë, ritëm dhe tension të mirë, por kanë një shqetësim me anën psikoemocionale”, u shpreh mjeku.
Ju kujtojmë se në Fier mbërriti edhe ministrja e Arsimit, Besa Shahini, e cila po ndjek nga afër gjendjen e gjimnazistëve.
“Kjo ka lidhje me një pajisje te përdorur nga nxënësit, edhe herën e parë edhe tani. Herën e parë e pamë si pakujdesi nga nxënësit që kanë dashur të bëjnë një sherr në shkollë. Por kjo tani është e patolerueshme , do marrim masat e nevojshme, policia dhe prokuroria kanë parë rastin, do gjejnë ata që e bënë, do shohim kamerat dhe çdo gjë tjetër. Do marrim masa që mos të përsëritet më. Është e papranueshme. Shkolla do të marrë masa ndaj nxënësve, për më tepër do flasë policia. Do kemi më shumë oficerë policie dhe më shumë kamera në shkollë”, tha Shahini, e pyetur nga gazetari i Top Channel-it, Andi Bora.
Top Channel