Mijëra banorë të zonës së Dropullit në Gjirokastër po enden prej disa kohësh në “rrugë të madhe”, pasi 3 licencat e dhëna për transportin e udhëtarëve, 2 nga pushteti lokal dhe 1 nga pushteti qendror, kanë mbivendosje me njëra-tjetrën. Fillimisht, Bashkia Dropull ka licencuar një kompani për transport udhëtarësh nga Gjirokastra në Dropull dhe anasjelltas, me dyer të mbyllura. E njëjta kompani mori një licencë tjetër që të transportonte udhëtarë nga fshatrat e Dropullit drejt bashkisë, por edhe Gjirokastrës. Ndërkohë, më pas, pa iu hequr licenca kësaj firme, e cila njërën licencë e mori edhe me vendim gjykate, Ministria e Transporteve i ka dhënë licencë një tjetër firme nga Vora, duke sjellë kaos në këtë bashki.
Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua Janaq Cinga, i cili tha se ka rreth 17 vite që operon për transportin e udhëtarëve në linjën Gjirokastër-Kakavi, dhe aktualisht në zonën e Dropullit. “Ne kemi vazhduar punën dhe para 1 viti e gjysëm, ministria e Transporteve i dha licencën një firme nga Vora për linjën Gjirokastër-Dropull. Ne u ankuam për njërën nga licencat dhe gjykata na dha të drejtë. Vendimi është i formës së prerë dhe firma jonë ka të drejtë të vazhdojë. Por, në vitin 2019, Bashkia Dropull, me disa shkresa, njëherë i thotë firmës nga Vora se duhet të bënte vetëm linjën Gjirokastër-Dropull me dyer të mbyllura dhe pas disa javësh, e njëjta bashki i vendos kësaj firme edhe stacione në fshatrat e Dropullit. Pra, gjithçka në kundërshtim me licencën e ministrisë” thotë ai, duke shtuar se me këto shkresa kontradiktore ka mbetur pa punë. “Aktualisht kam dy licenca aktive dhe jam pa punë. Dhe, gjatë kësaj kohe, vazhdoj të paguaj për punëtorët apo edhe për automjetet. Më kanë shkaktuar një dëm të madh” thotë ai.
Pas ankesës, emisioni Fiks Fare ka bërë një vëzhgim në linjën Gjirokastër-Dropull. Kamera e Fiksit ndoqi automjetet e firmës nga Vora e cila po operon e vetme në këtë linjë me licencë të ministrisë. Kjo licencë parashikon se transporti duhet të bëhet vetëm me dyer të mbyllura, pa ndalesa. Ndërkohë, nga vëzhgimi i Fiksit rezultoi se furgonët e kësaj kompanie ndalonin vend e pa vend. Madje, edhe në stacione të pa autorizuara. Nisur nga kjo situatë, ankuesi shkoi për të pyetur në Bashkinë Dropull drejtorin e transportit rrugor, i cili pranon se ka një mbivendosje licencash dhe se problemin do ta zgjidhë.
Pas kësaj përgjigje, gazetarët e Fiks Fare shkuan të interesoheshin në Bashkinë Dropull, ku drejtori nuk pranon të intervistohet. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Dhimitër Tola thotë se në këtë situatë e ka gjetur gjendjen, pasi licencat janë dhënë nga ish kryetari. Ai pohon gjithashtu se edhe pajisjen e firmës nga Vora me stacione dhe orare e ka bërë ish paraardhësi i tij. Kryetari pranon se shkresa e nxjerrë në atë kohë nga Bashkia Dropull është e paligjshme, ndërsa saktëson se aktualisht janë 3 licenca aktive në zonë për transport udhëtarësh që mbivendosen me njëra-tjetrën. Tola pohon se do të shfuqizojë vendimin e paraardhësit për caktimin e stacioneve dhe do ti kërkojë Ministrisë së Transporteve të caktojë stacione të reja për banorët e zonës, pasi ato aktuale janë në rrugë dhe jo në mes të fshatit.
***
Unë fitoj gjyqet, transportin e udhëtarëve e bën firma tjetër
Denoncuesi Janaq Cinga thotë se ka rreth 17 vite që operon në zonë për transport udhëtarësh. Por, megjithëse ka fituar vendime gjyqi për të kryer transportin, ende ai nuk po punon
***
Vëzhgimi, furgonët ndalojnë në mes të rrugës për udhëtarët
Fiks Fare vëzhgoi një ditë të transportit të udhëtarëve nga Gjirokastra drejt Dropullit. Firma që ka licencë transportin me dyer të mbyllura, ndalon vend e pa vend në rrugë, duke rrezikuar edhe jetë njerëzish
***
Kryetari i Bashkisë Dropull: Ka mbivendosje, i firmosi paraardhësi im
Kryetari i Bashkisë Dropull pranon se aktualisht janë 3 licenca për transportin e udhëtarëve në zonë. Ai thotë se shkresa e vitit 2019, që i ka dhënë stacione firmës nga Vora, do të shfuqizohet dhe do vendosen stacione të reja
Top Channel