Epidemia e koronavirusit e ka shtrirë hijen e saj në të gjithë botën.
Bilanci i viktimave nga Covid 19 shkoi në 3.198; të prekurit janë 93.121, dhe të shëruarit, sipas OBSH-së, 50.675. Kreu i saj Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi në një konferencë për shtyp në Gjenevë se në nivel global, gati 3,4 % e rasteve të koronavirusit kanë shkuar në vdekje.
“ Tani që kemi më shumë të dhëna në dorë po e kupotojmë pak më mirë virusin. Nuk është Sars, nuk është Mers dhe nuk grip. Është një virusi unik, me karakteristika unike”, pohoi ai. Ndërkohë, një pacient 50 vjeçar rezultoi pozitiv ndaj testit të koronavirusit e u shtrua me urgjencë në repartin e reanimacionit të spitalit të Livornos në Itali.
Gjendja e tij është kritike. Burri është paraqitur vetë në urgjencë, dhe në momentin që u vërtetua çfarë kishte, të gjithë punonjësit mjekësorë që patën të bëjnë me të, u futën menjëherë në karantinë.
Po punohet ndërkohë për të parë se kush ka qenë në kontakt me pacientin gjatë ditëve të mëparshme, teksa autoritetet lokale, me t`u regjistruar rasti i parë i sëmundjes në Livorno, ngritën dhe një njësi krize e kanë gati planin e emergjencës.
Në Itali situata nuk po qetësohet, përkundrazi, kryeministri Giuseppe Conte e pranoi se gjendja është e vështirë, e tha se po t`ua kërkojnë shkencëtarët, janë të gatshëm t`i mbyllin të gjitha shkollat.
Bilanci i vdekjeve u rëndua brenda një dite me 27 të tjera, duke e çuar numrin total të jetëve të humbura atje në 79; 2.263 janë të prekurit, teksa nga sëmundja janë shëruar 160 vetë.
Top Channel