Andi Duraj, avokati i Henri Çilit është shprehur se klientit të tij dhe të arrestuarve për dosjen “Mezhgorani” u janë shkelur të drejtat në momentin që janë arrestuar.
I ftuar në “Top Show”, Duraj tha se përgjimet e paraqitura në gjykatë janë të jashtëligjshme pasi janë pjesë e një komunikimi mes avokatit dhe klientit dhe nuk mund të përdoren kurrsesi në këtë formë. Përsa i përket takimit me zyrtarin e lartë, Duraj tha se nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë dhe se shpreson që edhe vetë institucionet të kenë bërë një keqkuptim me deklaratat.
“Kanë qenë dy avokatë që janë arrestuar. Janë shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e mbrojtësve. Është kontrolluar zyra pa prokurorin. Madje edhe përgjimet konsiderohen si përgjime mes avokatit dhe klientit dhe nuk konsiderohet apo përdoret si provë. Janë të ndaluara me ligj. Ky është vetëm fillimi i shkeljeve. Akuza e parë ishte mashtrimi, arrestohen edhe mashtruesi dhe i mashtruari. U arrestua e gjithë zyra ligjore dhe këtu fillon paradoksi. Paradoksi i dytë është ushtrimi i ndikimit të paligjshëm. Të gjithë mund të mbajnë përgjegjësi për ushtrim ndikimi të paligjshëm, vetëm avokati jo. O do akuzohet për korrupsion ose s;ka vepër penale. Sepse, ku do ta ushtronte këtë ndikim? Çdo avokat mund të bëjë takime dhe ndërmjetësim, por nuk ka ndodhur. Takimi me funksionarin e lartë të drejtësisë nuk ka ndodhur, shpresoj të jetë një pakujdesi”, tha Duraj.
Dosja “Mezhgorani” tashmë është në duart e SPAK, pasi pas dhënies së masave, Gjykata e Përmetit shpalli mos kompetencë. Gjykata e Përmetit dha masën “në detyrim paraqitje” për Henri Çilin, Bekim Shkupin. “Detyrim paraqitje” u dha edhe për dhjetë persona të tjerë, mes tyre noterja Shpresa Gjoçaj dhe dy vajzat, Kristina Bashi dhe Kejsi Meço. Në burg u lanë 16 persona.
Top Channel